AGK: Të merren masa ndaj personave që kërcënuan dhe penguan ekipin e KALLXO.com në Rahovec

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka deklaruar se me shqetësim ka pranuar lajmin për kërcënimin dhe pengimin në detyrë nga Mehdi Shehu dhe një person tjetër në drejtim të ekipit të KALLXO.com, gazetares Arbisa Shefkiu dhe kameramanit, Denis Sllovinja, në Rahovec.

AGK-ja ka theksuar tutje se ekipi është kërcënuar tri ditë më parë përderisa ishin duke xhiruar në afërsi të teqesë “Haxhi Shejh Iljazi Rifai”, duke e trajtuar rastin e një parkingu që komuna i ka dhënë leje për shfrytëzim të kësaj hapësire shehut, Mehdi Shehu, pa pëlqimin e banorëve dhe Asamblesë Komunale.

“Gazetarja dhe kameramani me të filluar xhirimet e kësaj hapësire janë kërcënuar nga një person që ka dalë nga teqeja dhe iu është drejtuar me fjalët: “Këqyr se mundesh me rrnu hala se i ri je”. Pas këtij kërcënimi, Mehdi Shehu, ka dalë dhe ka penguar ekipin duke mos i lejuar të marrin pamje me arsyetimin se nuk kanë të drejtë të xhirojnë këtë hapësirë”, thuhet në reagim.

Duke shpjeguar rastin AGK-ja ka theksuar se rasti është  paraqitur në Policinë e Kosovës dhe pas marrjes së deklaratave të ekipit, prokurori i rastit, Anton Hasanaj, e ka mbyllur rastin dhe ka deklaruar se nuk ka elemente të veprës penale. Mbyllja e rastit nga prokurori sipas KALLXO.com, ka ardhur pa i lexuar deklaratat e gazetarëve, pa i vlerësuar provat dhe vetëm me anë të telefonit.

“Megjithatë, sipas raportimeve të tyre, rasti vazhdon të jetë duke u hetuar nga njësitet policore, të cilët e kanë njoftuar prokurorin”, thuhet në reagim.

Për AGK-në veprime të këtilla në drejtim të gazetarëve dhe profesionistëve të medieve që janë duke ushtruar detyrën, përbëjnë presion ndaj tyre.

“Kërcënimi, pengimi dhe format e tjera të frikësimit ndaj kolegëve tanë kohëve të fundit po shënojnë rritje dhe kjo po kërcënon sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe lirinë e përgjithshme të medieve në Kosovë”, vijon deklarata.

AGK-ja u ka bërë thirrje organeve kompetente që të marrin masa ndaj sjelljes së këtyre dy personave që kanë kërcënuar dhe penguar ekipin e KALLXO.com.

Të enjten, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hapur rast lidhur me kërcënimin e ekipit të KALLXO.com në Rahovec.

VIDEO: Ekipi i KALLXO.com kërcënohet dhe pengohet në Rahovec