AGK: Shtënia me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi, goditje e rëndë për lirinë e shprehjes 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi.

AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se rasti është duke u hetuar.

“Rasti është iniciuar dhe po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Në vend të ngjarjes në veturën e dëmtuar janë gjetur katër predha të armës. Nuk raportohet për të lënduar. Hetuesit policorë janë duke punuar”, ka deklaruar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi. Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet tutje në reagimin e AGK-së.

Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi është gjuajtur me 6 plumba natën e mbrëmshme në qendër të Mitrovicës. Gazetari Kajtazi nuk ka qenë në veturë, në momentin e sulmit.

Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi qëllohet me armë