AGK shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit Zijadin Gashi

Gazetari Zijadin Gashi ka vdekur në moshën 51-vjeçare.

Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka shprehur ngushëllime familjes së gazetarit Gashi, miqëve dhe kolegëve të tij.

Sipas AGK-së, Gashi pati një karrierë të gjatë e të përkushtuar në fushën e medias. 

“Ai ka qenë pjesë aktive e gazetarisë kosovare para dhe gjatë luftës, dhe punoi në disa mediume të shkruara, elektronike dhe televizive në Kosovë” – thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK.

AGK tregon se këtë vit i ka ndarë mirënjohje Gashit për për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.

“Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka ngjallur dhimbje dhe pikëllim të madh te familja, miqtë dhe kolegët, të cilët kujtojnë me respekt punën dhe pasionin e tij për profesionin” – ka thënë AGK.

Gashi ishte një nga personazhet e emisionit “Kallxo Përnime” për nder të festës së Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2024.

Gashi në kohën e shpallje së pavarësisë, më 17.02.2008, raportonte për Radion Evropa e Lirë dhe të përditshmen Zëri. Në “Kallxo Përnime” kishte thënë se ishte gjakftohtësia ajo që duhej të mbretëronte në ato momente, sidomos kur raportimi si në rastin e tij bëhej për një radio amerikane në gjuhën shqipe.

Ai kishte treguar se që nga ora 07:00 e mëngjesit së të dielës së datës 17.02.2008 kishin filluar përgatitjet në redaksi për të kaluar më pas në terren për të raportuar.

“Orët e para kaluan me përgatitje në objektin e Kuvendit të Kosovës që para orës 16:00 të vinte vendimi i shumëpritur e Radio Europa e Lirë kishte lajmet në ora 16:00 dhe ishte mjaft nder për ne që ndër të parët mund të përfshiheshim në atë seancë dhe të mund të raportonim për atë ditë aq të rëndësishme”- kishte treguar Gashi në një intervistë për KALLXO.com.