AGK reagon për shpërthimin në afërsi të gazetarëve në Mitrovicë të Veriut
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas shpërthimit që ka ndodhur sonte në afërsi të ekipit të televizionit Tëvë 1, në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriuts.
AGK bën të ditur se në momentin e shpërthimit kanë qenë gazetari Gojart Jashari dhe kameramani Rron Agolli.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë ndaj situatës së krijuar në veri të vendit, dhe u bënë thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimeve të tyre nga kjo pjesë. Njëherësh, AGK-ja, sërish kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura që të sigurojnë gazetarët të kryejnë punë e tyre pa u rrezikuar e penguar”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë dëgjuar dy shpërthime në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre Rrokaqiejt’ në Mitrovicën e Veriut.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se nuk ka ndonjë person të lënduar.
“Policia e Kosovës, njësitet patrolluese policore të rendit publik, rreth orës 20:45 dhe 21:20, kanë njoftuar se në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre rrokaqiejt’- Mitrovicë Veri, janë dëgjuar dy shpërthime (dyshohet të jenë shok-bomba)” – ka thënë Kelani.
Policia: Dy shpërthime në Mitrovicën e Veriut