Foto: Ridvan Slivova/AGK

AGK reagon për mungesën e zëdhënësit të qeverisë

Qeveria të cilës i prin Avdullah Hoti i LDK-së ka katër muaj që është votuar në Kuvendin e Kosovës. Por, ekzekutivi ende nuk ka emëruar një zëdhënës i cili do tu përgjigjej mediave  dhe gazetarëve.

Për këtë, të mërkurën reagoi edhe shoqata e cila promovon dhe mbron të drejtat e gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se mungesa e një zëdhënësi për media në qeveri po vështirëson punën e gazetave.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka pranuar shqetësime të shumta nga kolegët tanë gazetarë për mungesën e zëdhënësit në Qeverinë Hoti. Sipas tyre po mungon komunikimi i duhur në mes të qeverisë dhe medieve për shkak se nuk po e kanë një adresë zyrtare politike se ku t’i drejtojnë pyetjet e tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ata i kanë bërë thirrje që sa më parë qeveria të bëjë emërimin e personit përgjegjës si zëdhënës i qeverisë.

“Mos emërimi i një zëdhënësi të qeverisë edhe pas pesë muajve të formimit të saj për AGK-në është praktikë e gabuar dhe duhet të ndërpritet. AGK-ja i kërkon Qeverisë Hoti që sa më parë ta emërojë një zëdhënës në mënyrë që të jenë sa më transparent, jo vetëm ndaj kolegëve tanë gazetarë, por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.