AGK reagon pas sulmit ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas tentim djegies së veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi.

AGK e ka dënuar këtë akt ndërsa ka kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin rastin sa më parë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin se është tentuar të digjet vetura e gazetarit, Shkumbin Kajtazi. Kajtazi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se mbrëmë në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, një person kishte tentuar t’ia digjte me benzinë veturën e tij. Këtë akt, sipas gazetarit e kanë parandaluar banorët e kësaj rruge, të cilët e kishin njoftuar edhe Policinë e Kosovës. Sipas Kajtazit, PK ka siguruar një videoincizim ku duket kryesi, e po ashtu Forenzika ka gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina. AGK menjëherë ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës që të marrë më shumë informacione rreth këtij rasti. AGK kërkon nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas komunikatës, kërcënimet e tilla për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, të cilat e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.