AGK reagon pas publikimit të audio-incizimit ku përmendet edhe gazetari Visar Duriqi
Pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku pretendohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë dhe gazetarë, ka ardhur edhe reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Media online “Shqip.com” publikoi një tjetër audio-incizim ku pretendohet se dëgjohet gazetari i “Insajderi.org” dhe autori i emisionit “InDoks”, Visar Duriqi dhe një person i quajtur Halit Sahitaj.
Ata, sipas “Shqip.com” bashkëbisedojnë rreth disa artikujve, për të cilët personi që pretendohet të jetë Halit Sahitaj pyet gazetarin Duriqi se sa duhet të paguar për t’i publikuar në portalin “Insajderi”.
E, pas kësaj, ka reaguar organizata e cila mbron dhe promovon të drejtat e gazetarëve.
“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja në këtë thirrje inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste.
“AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve. AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”, thuhet në fund të reagimit.
Pak kohë pas publikimit të audio-incizimit nga “Shqip.com” ka reaguar edhe analisti dhe ish-drejtori i Institutit “GAP”, Agron Demi. Ai ka kërkuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që para se t’i mbrojë gazetarët, duhet ta mbrojë gazetarinë si profesion.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, para se me i mbrojtë gazetarët, duhet me mbrojtë gazetarinë. Para se me u udhëheqë prej kodit të heshtjes ‘Omerta’, duhet me u udhëheqë prej Kodit Etik të Mediave. E nuk është gazetari më përly e shpërla figura me pare”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.
Biseda e publikuar, sipas “Shqip.com” është realizuar në verën e vitit 2020. Ndërsa, kërkesa e personit me emrin Halit Sahitaj ndaj, siç pretendohet, autorit të emisionit “InDoks”, Visar Duriqi, është që t’i publikojë disa artikuj për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, deputetin e Kuvendit dhe biznesmenin, Behgjet Pacolli dhe një për “institucionin e konfiskimit të veturave”.
“Një është për Lumezin, një është për Behgjet Pacollin edhe një është për institucionin e konfiskimit t’kerreve”, dëgjohet duke thënë personi që pretendohet të jetë Halit Sahitaj.
Ndërsa, personi tjetër që pretendohet të jetë gazetari Duriqi përgjigjet duke thënë se “çomi, t’i shty përpara me kta t’mit”.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një koment nga gazetari Duriqi mbi pretendimet e publikuara nga “Shqip.com”, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Po ashtu, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresën elektronike të medias “Insajderi.org” për të marrë koment mbi pretendimet që dëgjohen në audio-incizim, por edhe nga ata ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Para disa ditëve, u publikuan disa audio-inicizme nga “Shqip.com” ku pretendohej se ish- shefi i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, i kishte thënë një personi se po tenton të marrë aksione në gazetën online “Insajderi” dhe në këtë mënyrë do të kapte edhe mediat për t’i shfrytëzuar më pas edhe për shantazhe ndaj figurave të larta shtetërore.
KALLXO.com ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e “Insajderi”-t, Vehbi Kajtazi, i cili tregoi se nuk ka pasur asnjëherë telefonatë nga Dardan Nuhiu deri sa shtoi edhe se nuk e di arsyen pse është përmendur mediumi që drejton në audio-incizimet që pretendohen të jenë përgjime.
“Unë nuk e di se pse, por inkurajoj të gjithë njerëzit që të publikojnë secilën dëshmi rreth meje dhe punës sime si gazetar”, thotë Kajtazi në një deklaratë për KALLXO.com.
“Shqip.com” disa ditë me radhë ka publikuar disa audio-incizime ku janë përmendur disa zyrtarë të lartë shtetërorë.
Deri më tani, është shkarkuar nga pozita e shefit të inteligjencës financiare, Dardan Nuhiu, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Driton Muharremaj ka dhënë dorëheqje dhe është iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani.
Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, pretendohet se dëgjohet deri sa tregon për ushtrimin e ndikimit të saj dhe zgjedhjen e personave në pozita të caktuara.
Në bisedat e publikuara në “Shqip.com”, prokurorja pretendon se ka miq në Agjencinë Kosovare e Inteligjencës, gjyqtarë e institucione të tjera, të cilët e mbrojnë.
Ndërsa, Prokuroria e Shtetit po vazhdon të heshtë rreth përmbajtjes së audio-incizimeve të publikuara javën e kaluar, të cilat supozohet se janë audio-incizime të vitit të kaluar.
Media online “Shqip.com” më 30 korrik publikoi një audio- inicizim më shumë se 10-minutësh deri sa pretendohet se dëgjohet prokurorja Asllani tek flet me një person për zgjidhjen e një rasti të këtij të fundit.
Në audio-incizimet që pretendohet të jetë prokurorja Asllani, dëgjohet teksa nuk heziton të ndajë informacione se çka po ndodh brenda sistemit prokurorial dhe ndikimin e saj edhe në zgjedhjen e një gjyqtari ndërsa dëgjon informacione rreth saj nga bashkëbiseduesi se kinse ajo është e përfshirë në dosjen hetimore të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, hetimin e të cilit po e kryejnë siç thuhet në raportimet e medias online, nga disa ndërkombëtarë.
Shkarkimi i shefit të inteligjencës financiare, Dardan Nuhiut, erdhi pas publikimit të audio-incizimeve ku pretendohet se është i përfshirë edhe ai.
“Pas shqyrtimit të audio incizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka bërë të ditur Murati.
Në dy audio-inicizme të publikuara nga “Shqip.com”, pretendohet se i përfshirë është edhe tash ish-drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, deri sa me një telefonues flet se si po planifikon të kapë mediat e fuqishme në Kosovë e më pas t’i përdorë për shantazhe në raste të ndryshme.
“Unë besoj që për nja, krye 2 vjete unë i kapi krejt qeto ma t’fortat që jonë, jom n’krye unë. A po kupton? E tani zgjedh. Zgjedh ku don me shku. Ose çiftin tondë për shembull. Ty po t’ngucin? Po. Ja lëshoj mediat pse po e ngucni njerin”, dëgjohet deri sa thotë Nuhiu në këto incizime që janë publikuar nga “Shqip.com”.
Me kapjen e mediave në Kosovë, Nuhiu sipas “Shqip.com”, pretendon të shantazhojë zyrtarët publikë në rast se nuk i përshtaten në punën e tij. Nuhiu e ka parë, siç thotë ai, se si të tjerë që kontrollojnë media i “plaçkisin” politikanët, prandaj përse të mos e bëjë vetë.
“Çiftin e atij katolikut (Aleksandër Lumezin) për shembull, qata unë sa t’i kapi, kur t’i kapi ia lëshoj gjinën atina. Veç i thom po ……. po, ani preke qeto e une t’kallxoj knena”, thuhet në njërën nga deklaratat që jep Nuhiu gjatë bisedës me telefonuesin raportoi “Shqip.com”.
Ndërsa tash ish-nëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Driton Muharremaj ka dhënë dorëheqje nga ky institucion.
Përmes një njoftimi për media, KGjK nuk ka dhënë shumë detaje për dorëheqjen e Muharremajt, ndërsa tha se qëllimi i dorëheqjes është që KGjK të mbetet institucion i pa kontestuar.
“Z. Muharremi, në deklaratën drejtuar Kryesuesit dhe anëtarëve të KGjK-së, thekson se, jep dorëheqje të parevokueshme me të vetmin qëllim që institucioni i KGjK-së të mbetet i pa kontestuar jo vetëm për publikun, por edhe nga grupet e interesit që kanë tendenca të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Muharremaj së fundmi u përfshi në skandalin e disa audio-incizimeve të publikuara nga “Shqip.com”.
Media online “Shqip.com” ka publikuar pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.
Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.