Albin Kurti
AGK reagon pas fjalimit të Kurtit, e cilëson 'gjuhë të rrezikshme kundër mediave'
Fjalimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, është dënuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
AGK-ja e ka cilësuar fjalimin e Kurtit, që e pati gjatë mbledhjes së Partisë, të cilën e drejton, si ‘gjuhë të rrezikshme kundër mediave’.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shfrytëzuar mbledhjen e partisë së tij, Vetëvendosje, ku është nominuar për Kryeministër, që të shënojë një tjetër sulm të papranueshëm kundër mediave.” – tha Asociacioni.
AGK theksoi se në fjalimin e tij, mes të tjerash, Kurti ka thënë se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, që fajtorin çdoherë e gjetën tek Qeveria jonë – e asnjëherë te Serbia – nuk meritojnë vëmendjen tuaj.”
Po ashtu, Asociacioni reagoi edhe për pjesën ku Kurti u shpreh se “Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër Qeverisë, sesa në këtë katërvjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti.”
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të Kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm, që vjen nga kreu i Qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.” – thuhet në reagim.
Tutje, u tha se është koha e fundit që Kurti “të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtjes ndaj mediave” – që, pastaj, sipas AGK-së, reflektohet e shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij.
“Në respektim të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediat në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre, për të mbajtur përgjegjëse Qeverinë – pa u penguar e intimiduar nga pushteti.” – theksohet në reagim.
Kurti, gjatë fjalimit të tij para anëtarëve të LVV-së, tha se shpesh edhe emisionet e lajmeve janë të mbushura me keqdashje.
“Si ka mundësi që, gjithë këto të pavërteta për Kosovën, gjithë këto shpifje për njerëzit tanë, gjithë ky vrer kundër VETËVENDOSJE!-s të shpërndahet kësisoj publikisht?” – u shpreh Shefi i Qeverisë.
“Tash, ata që marrin pjesë dhe orkestrojnë, në numër janë të paktë, por kanë shumë portale e televizione. Dhe, kanë shumë interesa e privilegje financiare, që me qeverisjen tonë të ndershme i kanë humbur. Prandaj, edhe janë kaq agresivë dhe janë në gjendje të bëhen edhe me djallin vetëm e vetëm për ta kthyer kastën e vjetër në pushtet.” – vazhdoi njëjti.
Sipas tij në Kosovë, populli është vetëdijesuar “dhe i njeh ata si paren e kuqe, e si rezultat edhe efekti i kësaj fushate të baltosjes do të jetë zero.”
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka nominuar Kryetarin e saj, Albin Kurtin si kandidat për Kryeministër për Zgjedhjet e ardhshme nacionale – që do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë.
Kështu njoftoi LVV-ja, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Partisë.