AGK reagon ndaj "gjuhës linçuese" të LDK-së dhe PDK-së ndaj 'RTV Dukagjinit'

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK i ka cilësur si gjuhë linçuese sjelljet e PDK-së dhe LDK-së karshi ‘RTV Dukagjinit’.

“AGK me shqetësim po e përcjellë gjuhën linçuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të RTV Dukagjinit. Gjuha e tillë linçuese për AGK-në është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni ndaj kolegëve tanë gazetarë”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.

“Duke i akuzuar mediet se po favorizojnë një subjekt politik, i bëjnë ato target të sulmeve. AGK-ja u bënë thirrje partive politike që nëse kanë ankesa në drejtim të ndonjë mediumi, t’i drejtojnë ato tek organet kompetente. Kjo mënyrë e qasjes së subjekteve politike ndaj medieve, për AGK-në përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes”, është thënë më tej.

Më herët edhe eksperta e ligjit për media, Flutura Kusari ka deklaruar se deklarata të tilla janë sulm ndaj mediave.

Shefi i shtabit të Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi, sot përmes një konference për media ka njoftuar se PDK-ja nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me ‘TV Dukagjinin’.

PDK shkëput komunikimin me TV Dukagjini, e akuzon për propagandë politike