Foto: Facebook/AGK

AGK: Pushteti duhet të respektojë lirinë e shtypit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me moton “Mediat nuk janë armiku!”

Përmes një ngjarje të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha ka pasur disa kërkesa për politikanët e Kosovës.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit në kërkojmë që politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë të sulmeve ndaj gazetarëve”, ka thënë Rexha.

Tutje ai ka shtuar se ndaj gazetarëve ka pasur sulme të vazhdueshme, që sipas tij kanë qenë të orkestruara nga pushteti aktual.

Sipas kryetarit të AGK-së, këto sulme shpeshherë janë bërë në gjuhë politikisht në rregull, por kanë degraduar profesionin e gazetarëve si asnjëherë më parë.

“Kjo sjellje në kombinim me mbylljen  e institucioneve dhe mos transparencën që ka mbiztotruar gjatë tërë vitit të kaluar e bënë punën e gazetarit shumë të vështirë”, është shprehur Rexha duke shtuar se politikanët kanë pasur tentativa që të fshehin skandalet duke i sulmuar gazetarët.

Sipas tij, është e rrezikshme se si politikanët kanë tentuar që të bëjnë publikun të mendojnë se gazetarët shpifin dhe se atyre nuk duhet t’i besohet.

Rexha ka thënë se një tentativë e tillë ka bërë që gazetarët të duken kinse janë armiku i vendit.

“Kur kjo narrative bëhet e përditshme atëherë ajo përbënë kërcënim direkt për sigurinë e gazetarëve”, shtoi ndër të tjera Rexha.

Kujtojmë se Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave, tregon Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.

Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.

Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.

Këtë përparim e ka përshëndetur dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo përmes një postimi në Twitter ka thënë se ky përparimi i Kosovës është shembull që tregon përkushtimin ndaj demokracisë.

Përmirësohet liria e mediave në Kosovë