AGK ndan çmimet për çrrënjosjen e varfërisë

Në një manifestim duke respektuar masat kundër COVID-19, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim me Ekipin e OKB-së së Kosovës kanë shënuar sot Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë në kudër të së cilës ka ndarë çmime për gazetarët për çrrënjosjen e varfërisë.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli ka thënë se ky manifestim është paraparë të organizohet ndryshe mirëpo pandemia në vend e ka pamundësuar.

“COVID-19 ndikoj që ne mesin tonë shumë kolegë gazetarë të cilët kanë aplikuar. Ndoshta me pak euro në xhep janë edhe vet gazetarët të cilët përkundër gjendjes së vështirë që ndodhen disa prej tyre janë përjashtuar nga vendet e punës e disa kanë pasur zbritje të pagës, vazhdojnë të jenë zëri i qytetarëve”, ka thënë Begolli.

Çmimet në këtë manifestim janë ndarë në disa kategori, ku në kategorinë e parë për videostorien më të mirë janë shpërblyer, Nora Xhozi dhe Edon Gërbani.

“Një falënderim shkon për AGK për jurinë e cila vlerësoi punimin tonë dhe për RTK ku ne si komunitet kemi mundësi që t’i transmetojmë storiet tona. Me shpresë që në të ardhme nuk do të ketë kaq shumë storje të tilla ju falënderojmë”, ka thënë Gërbani.

Ndërsa Xhozi duke falënderuar AGK-në ka shpresuar që në të ardhmen të ketë sa më pak storie dhe raste të tilla për varfërinë.

Për dokumentarin më të mirë për vitin 2020 çmimin e ka fituar gazetarja Valdete Osmani.

“Ndihem e nderuar që mora këtë çmim , kërkoj nga gratë që të mos heqin dorë nga pasuria e tyre”, ka thënë Osmani.

AGK  tutje ka ndarë çmim për storien më të mirë të shkruar për vitin 2020, çmim ky i cili u nda për gazetarin Rexhep Maloku.

Ndërsa, çmimi për fotografinë më të mirë vjetore për vitin 2020 për fotografin Valdrin Fetahu.