AGK mbështet gazetarët që bojkotuan konferencën e ministrave pas vonesës 40-minutëshe

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka përkrahur bojkotin e mediave ndaj konferencës së ministrave të qeverisë Kurti, pasi priten më shumë se 40 minuta ministrat Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci të dilnin në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas AGK-së, kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat.

“Gazetarët dhe kameramanët e medieve kosovare sot janë organizuar spontanisht për të bojkotuar konferencën për shtyp, pas Mbledhjes së Qeverisë. AGK-ja, përkrah kolegët gazetarë për veprimin e sotëm, pasi që kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat”- thuhet në reagimin e Asosacionit të Gazetarëve.

AGK ka kërkuar nga Qeveria respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve.

“Qeveria duhet ta vendosë interesin publik në rend të parë, duke pranuar pyetjet e gazetarëve për vendimet që ajo i merr”- thuhet në reagimin e këtij Asociacioni.

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci u vonuan 40 minuta në konferencën e paralajmëruar, prandaj gazetarët vendosën që ta bojkotojnë këtë konferencë.

Kjo konferencë u paralajmërua që të mbahet menjëherë pas mbledhjes së 121-të të Qeverisë së Kosovës, por në fakt nuk nisi as pas 40 minutave.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pasi mediat kanë bojkotuar konferencën.

Sipas tij, mediat me bojkotimin e konferencës nuk e kanë vendosur në rend të parë interesin publik.

“Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”- ka thënë tutje Kryeziu.

VIDEO – Gazetarët bojkotojnë konferencën e Muratit e Nagavcit, shkak vonesa e tyre