AGK-ja pas intervistimit të Adriatik Kelmendit nga BIA serbe, fton BE-në që të reagojë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas raportimit se gazetari kosovar, Adriatik Kelmendi është marrë në pyetje nga ana e BIA-s serbe në vizitën e tij të fundit në Beograd.

AGK-ja e ka dënuar sjelljen e BIA-s serbe ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi dhe ka ftuar Bashkimin Evropian që të reagojë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim raportimin e gazetarit kosovar, Adriatik Kelmendi, për marrjen në pyetje nga ana e BIA-s serbe në vizitën e tij të fundit në Beograd. Kelmendit i janë kërkuar sqarime për pozicionet e tij publike.  AGK-ja e konsideron të papranueshme një sjellje të tillë ndaj një gazetari dhe aktivisti për pajtim rajonal”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq përmes rrjetit për pajtim KOMRA i ka reaguar shërbimit të Inteligjencës serbe, BIA për intervistim të gazetarit Adriatik Kelmendi gjatë arritjes në Serbi dhe kthimit të tij në Kosovë.

Në reagim potencohet se për disa vite, inspektorë të BIAS-s zhvillojnë biseda informative në aeroport ose arritjen në Beograd me drejtorin e televizionit Klan Kosova.

“Disa vite pa ndërprerë secilën herë në aeroport ose në arritjen në Beograd, inspektorët e BIA-s zhvillojnë biseda informative me gazetarin Adriatik Kelmendi, avokuesin publik të pajtimit rajonal, drejtorin e televizionit Klan Kosova, me seli në Prishtinë, duke e pyetur për arsyet e ardhjes dhe qëndrimet e tij politike”, thuhet në reagim.