AGK-ja kërkon proces të ri për zgjedhjen e drejtorit të televizionit të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar proces të ri rekrutimi për zgjedhjen e drejtorit të televizionit të RTK-së, pas dyshimeve se emërimi i Rilind Gërvallës përbën konflikt interesi.

Sipas AGK-së, emërimi e Gërvallës, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik pasi sipas AGK-së, Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht.

“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik”- thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje AGK ka thënë se rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së.

“Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”- thuhet tutje në reagim.

Ditëve të fundit pati reagime për emërimin e Rilind Gërvallës, financuesit të Lëvizjes Vetëvendosje si drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

KALLXO.com raportoi se Gërvalla kishte qenë financues i Lëvizjes Vetëvendosje më 2020 dhe ishte parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.

Sot, Gërvalla ka reaguar pas kritikave lidhur me emërimin e tij në këtë pozitë.

Gërvalla përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është zgjedhur në mënyrë korrekte, në konkurs transparent, e në garë me kolegë të aftë profesional.

Ai ka thënë se prej vjetësh nuk është anëtar në asnjë grupacion politik.

“Kjo nuk dmth se unë ndër vite kam qenë indiferent ndaj historisë sonë të përbashkët. Kosova jonë është një vend i vogël që po ndërton shtetësinë nga fillimi; e pra ky impenjim ka kërkuar angazhime nga të gjithë ne. Të gjithë ne qytetarët e moshës madhore kemi kontribuar ndër vite, në një formë ose një tjetër. Kemi marrë pjesë në lëvizjen studentore, skenën muzikore, luftën çlirimtare, ashtu si unë, jemi shprehur për politikë, kemi komentuar, kemi votuar, etj. Them se kjo është normale”- ka thënë ai.

Dje, pesë organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Evropë, Article 19 Europe, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), International Press Institute (IPI) dhe Reporters Without Borders (RSF), përmes një letre i janë drejtuar kryeministrit të vendit dhe njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit, për të shprehur shqetësim në lidhje me emërimin e financuesit të LVV-së,  Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

https://kallxo.com/lajm/drejtori-i-ri-i-rtk-se-nuk-jam-anetar-i-asnje-partie-politike/