AGK-ja kërkon ndriçimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar zbardhjen e fatit të 12 gazetarëvë të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë si dhe katër të tjerëve që rezultojnë të zhdukur.

AGK-ja e ka bërë këtë në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve.

Përmes një njoftimi ky Asociacion ka thënë se mos ndëshkimi i këtyre krimeve është një sinjal i keq për sundimin e rendit dhe ligjit në vend.

“Mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj gazetarëve është sinjal i keq për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë dhe barrë që rëndon në vazhdimësi mbi familjet e viktimave dhe komunitetin e gazetarëve që prej vitesh kërkojnë drejtësi. Kjo klimë e pandëshkueshmërisë ndikon në lirinë e raportimit dhe inkurajon që në të ardhmen të ndodhin sulme e kërcënime të tjera”, thuhet në komunikatë.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, ka ftuar organizatat ndërkomëbëtare që të kontribuojnë në krijimin e një fondi për ndriçimin e këtyre rasteve.

“Edhe më herët e kam thënë se mua si përfaqësuese e gazetarëve nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të kenë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelët e tjerë. Këtë e presim të gjithë, sikurse familjarët ashtu edhe ne gazetarët dhe të gjithë ata që po punojnë çdo ditë, për një shtet të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji”, u shpreh Begolli Pustina.

Në vitin 2018, Federata Evropiane e Gazetarëve, në Lisbonë, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet hetimi i vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve në periudhën 1998-2005 dhe kompensimi i familjeve të viktimave.

2 Nëntori është dita ndërkombëtare për Eliminimin e Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme.