AGK-ja dënon gjuhën linçuese të Faruk Mujkës ndaj gazetares Mimoza Koprani-Muçaj
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën e kryeshefit të Ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ndaj gazetares Mimoza Koprani-Muçaj.
Sipas Asociacionit, Mujka ka reaguar për pyejtet e gazetares në intervistën me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Duke reaguar për pyejtet e gazetares në intervistë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Mujka mes tjerash e ka quajtur zhvillimin e pyetjeve si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit””- thuhet në njoftim.
Sipas Asociacionit, Mujka e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Vladimir Putinit.
AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo.
“Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngritën për interesin e publikut dhe të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese”- thuhet në njoftim.
KALLXO.com e ka kontaktuar zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për të marrë një qëndrim të partisë lidhur me ketë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ai nuk ka kthyer përgjigje.
Sipas Platformës për Monitorimin e Pronësisë së Mediave (MOM), KTV operon nën ombrellën e Grupit Koha, e themeluar në vitin 2000 nga Veton Surroi.