AGK i reagon shefit të stafit të kryeministrit – Gjuha e Luan Dalipit rrezikon sigurinë e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj një statusi të shefit të kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi.

Ai në një postim në Facebook, ka nxjerrë shifra të marketingut që media të ndryshme kanë marrë nga institucionet publike, ndërsa mediat që thurrin gënjeshtra dhe kurthe, i ka quajtur “‘kompani të kriminalizuara’.

Ndërsa, AGK, i ka reaguar menjëherë.

“Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme dhe thirrje e hapur për linçim.

“Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në vend”, thuhet më tej në reagimin e AGK-së.

Sot, Dalipi ka shkruar se “Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre”.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët t’i injorojnë mediat që ai i cilëson si qëllim këqija.

“Është e shëndetshme që qytetarët e denjë ti injorojnë mediat / portalet qëllimkëqija (thjeshtë në rrjetet sociale t’ua bëjnë “unfollow”)”, ka shkruar ai në Facebook.