Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

AGK i reagon kryeministrit Kurti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën e ka dhënë të premten, më 27.09.2024 në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Kurti në deklaratën të cilën AGK e quan “sulm ndaj mediave”, ka folur për regjimin e vjetër të Kosovës, të cilët sipas tij, po shpërndajnë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata” – ka deklaruar Kurti, më 27.09.2024.

Sipas Kurtit, njerëzit që krijojnë lajme të rreme nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare.

“Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si socialdemokratë dhe shtete socialdemokrate duhet ta ndjekim” – ka shtuar Kurti.

AGK e ka dënuar ashpër këtë deklarim të kryeministrit Kurti ndaj mediave.

“AGK-ja e sheh me shumë shqetësim një përpjekje të tillë të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument, duke hedhur akuza drejt mediave se “paguhen nga regjimet e kaluara” për kinse prodhimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me Byronë për Verfikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme” – kanë reaguar nga AGK, më 27.09.2024.

Teksa ia kanë kujtuar kryeministrit Kurti raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, në të cilin Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, nga Asociacioni e kanë ftuar Kurtin që të përmbahet nga fushata të tilla.

“Andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari” – kanë theksuar nga AGK.

Nga AGK shprehen se, problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon Kurti, nuk bëhet në asnjë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave, si një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë në vend.