Foto: Shqipron Halimi
AGK: Gjetjet “Reporterëve pa Kufij”, alarm për institucionet e Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një njoftimi ka reaguar për rënien e Kosovës për tetë vende në raportin e “Reporterëve pa Kufij” për gjendjen e lirisë së shprehjes e të cilin e ka vlerësuar si alarm për institucionet e vendit.
AGK në njoftim thekson se Kosova qëndron mirë krahasuar me vendet e rajonit, por rënia për tetë pozita sipas tyre pasqyron gjendjen reale të mediave në Kosovë.
Po ashtu, sipas AGK-së, njësoj si vitet tjera, raporti evidenton se pothuajse gjithçka mbetet e ndarë në vija etnike.
Në raportin e këtij viti përmendet edhe sulmi fizik dhe verbal ndaj gazetarëve si dhe mostransparenca e pronësisë së mediave, përfshirë qëndrueshmërinë financiare që i bënë të ndjeshme ndaj ndikimeve politike.
Më poshtë keni reagimin e plotë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës:
“Kosova pëson rënie për 8 vende në raportin e “Reporterëve pa Kufij”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”, për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë, në raportin e publikuar për vitin 2021.
Kosova është renditur në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit. Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks, dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.
Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të medieve, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e medieve që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj medieve online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së medieve.
Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Aty gjithashtu theksohet rasti i shoqërimit në polici i gazetares, Tatjana Lazarevic, për çka pati reaguar AGK-ja.
Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999, mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport.
Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnje dhe Hercegovina 58.
AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.”
Gazetarët pa Kufi: Gazetaria e besueshme e bllokuar në mbi 130 vende