AGK: Gazetarët vazhdojnë të rrezikohen gjatë raportimeve në veri të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas raportimeve se një mjet shpërthyes është hedhur shumë afër ekipit të gazetarëve të RTV Dukagjini, i cili po raportonte drejtpërdrejt nga veriu i Kosovës.

AGK-ja shprehet e shqetësuar për rrezikun e vazhdueshëm që po u kanoset gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve gjatë raportimeve të tyre nga veriu i Kosovës.

“Gjatë orëve të vona të ditës së sotme, në ndërkohë që po raportonin për situatën në veri, një eksploziv shpërtheu fare pranë ekipit të RTV Dukagjinit. Përgjatë raportimit të drejtpërdrejtë të gazetares, Doruntina Bylykbashi, shihet dhe dëgjohet shpërthim i madh” – thuhet në reagimin e AGK-së.

Ky është sulmi i dytë brenda dy ditësh ndaj ekipeve të cilat po raportojnë nga veriu i Kosovës.

Një ditë më parë një grup serbësh sulmuan ekipin e KALLXO.com në Mitrovicën e Veriut.

Andaj, AGK-ja u bën sërish thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët gjatë raportimeve të tyre në veri të Kosovës.

Hidhet mjet shpërthyes afër ekipit të RTV Dukagjini në veri