MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

AGK: Gazetarët bëhen përfitues të ndihmës juridike falas

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarët, fotoreporterët, kameramanët dhe redaktorët janë përfshirë si kategori përfituese në Ligjin për Ndihmë Juridike Falas.

Sipas AGK-së një gjë e tillë është bërë për herë të parë dhe se ky ndryshim ligjor është propozuar nga juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari dhe nga vetë AGK-ja.

“Për herë të parë janë përfshirë si kategori përfituese në Ligjin për Ndihmë Juridike Falas, të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 25 shkurt 2022”, është thënë në njoftim.

Tutje është shpjeguar se ky ndryshim ligjor nënkupton që nëse gazetarët largohen nga puna, paditen për shpifje, ballafaqohen me Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) apo ndiqen penalisht, ata do të përfitojnë shërbime falas juridike dhe përfaqësim në gjykatë nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Po ashtu, AGK ka njoftuar se përfitues të këtij ndryshimi ligjor mund të jenë vetëm punëtorët e radiove dhe televizioneve të licencuara nga Komisioni i Pavarur për Media dhe punëtorët e mediave online që janë të regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.