AGK fton Qeverinë dhe LVV të distancohen nga grupi #mekryeministrin

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ftuar Qeverinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të distancohen nga gjuha linçuese dhe të ndalojnë përkrahjen direkte apo indirekte të sulmeve që po i bëhen gazetarëve nga grupi #mekryeministrin.

Ky reagim i AGK-ës erdhi pas një postimi të Fitore Pacollit në profilin e saj në Facebok që sipas AGK-ës deputetja nga radhët e LVV-së përmes këtij postimi ka përkrahur publikisht këtë grup ku një nga udhëheqësit e grupit është edhe vëllai i saj.

“Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ndaj këtij dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e papranueshme për AGK-në”, është thënë në reagimin e AGK-ës.

Postimi i Deputetes së LVV-ës, Fitore Pacolli

KALLXO.com ka kontaktuar me Pacollin e cila ka thënë se ende nuk e ka parë reagimin e AGK-së.

Ajo shtoi tutje se AGK-ja duhet të reagoj ndaj sulmeve që po i bëhen asaj për grupin.

“AGK-ja kish qenë mirë me reagu për sulmet që po mi bëjnë mua ndaj grupit, se unë nuk e kam kriju grupin nuk është grupi im”, ka thënë Pacolli për KALLXO.com.

Ajo ka pranuar që vëllai i saj është një nga organizatorët e këtij grupi, që sipas AGK-ës është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti.

“Kur është formu grupi, me emra dhe me mbiemra kanë dal, nuk janë duke u fsheh [..]. Po, është edhe vëllai im, ai është individ i pavarur, unë nuk e kontrolloj vëllain tim”, ka shtuar tutje deputetja Pacolli.

Krijuesit e grupit #meKryeministrin, shihet se është dhe Fitim Pacolli vëllai i Fitore Pacollit

AGK në reagimin e tyre ka thënë se ky grup vazhdimisht ka sulmuar media të ndryshme të Kosovës.

“Grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto”, thuhet tutje.

Mirëpo, krijimi i grupeve të tilla sipas Pacollit tregojnë se ka demokraci në vend.

“Ai e ka bë një grup në Facebook, a jeni duke e kuptu, qekjo është demokraci [..]. Nëse e shohim demokracinë shiheni në të dyja anët”, tha Pacolli.