AGK e dënon sjelljen e Melihate Tërmkollit ndaj gazetarit të T7

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur të papranueshme gjuhën dhe kërcënimin e gazetarit të televizionit T7, Arsim Lani, nga e anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli.

Sipas njoftimit të AGK-së, Tërmkolli kishte qenë e ftuar në emisionin “Frontal” por që e njejta nuk ishte në dijeni për një të ftuar tjetër.

Duke marrë shkas nga kjo Tërmkolli pas emisionit përmes mesazheve e kishte quajtur “bërllok” dhe “i paftyrë” gazetarin Lani.

“Tërmkolli gjatë ditës së djeshme përmes një mesazhi elektronik të dërguar pas emisionit ‘Frontal’ udhëhequr nga Lani, e ka quajtur atë “bërllok” dhe “i pafytyrë”, për shkak se siç e ka bërë të ditur gazetari për AGK-në, Tërmkolli nuk ishte njoftuar paraprakisht për të ftuarin tjetër në studio. Krahas ofendimeve, ajo gjithashtu e ka kërcënuar gazetarin, duke i thënë se “do ta paguajë për mundin dhe ftohjen” që sipas saj, ai ia ka shkaktuar”, thuhet në  njoftimin e AGK-së.

Për AGK-në kjo sjellje e anëtarës së LDK-së është cënim i lirisë së shprehjes dhe mediave andaj u ka bërë thirrje “zyrtarëve politikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ofendimet në drejtim të tyre”.