AGK do të shpërndajë materiale mbrojtëse për 313 gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë të terrenit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka njoftuar se nesër do të fillojë me shpërndarjen e materialeve mbrojtëse për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët.

AGK ka bërë të ditur se nga donacioni i mundësuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), bëjnë pjesë 313 maska respirator FFP2, 313 pako dorëza latex dhe 313 dezinfektues 500 ml e që vlera e një pako për person është 17.50 euro.

AGK ka kërkuar nga redaksitë që t’i dërgojnë vetëm emrat e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve të terrenit, të cilët janë më të rrezikuarit nga atakimi me virusin Covid-19.

“Përkundër kërkesës me emrat për kolegët tanë që janë pothuajse në vijë të parë të frontit me këtë pandemi, në adresë të AGK kemi pranuar mes tjerëve edhe emra të teknikëve, moderatorëve, redaktorëve e madje edhe emra të menaxherëve të medieve”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej, thuhet se në pamundësi që ndihmohen të gjithë punonjësit medial dhe me qëllim që asnjë që punon në terren të mos mbetet i pa pajisur me materiale mbrojtëse, stafi i AGK-së po punojnë në mënyrë vullnetare, që procedura e shpërndarjes të zgjas më shumë, me qëllim të vetëm, që mjetet mbrojtëse t’u shpërndahen kolegëve.

“Duke filluar nga nesër 15 prill deri të premten më 17 prill, ora 10.00 deri në orën 16.00, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, mund të marrin pakon e tyre në zyrat e AGK-së. Të njëjtit, mund të tërheqin pakon edhe për kolegët e tyre nga po i njëjti medium, mirëpo me vete duhet ta kenë ID-në e punës (në formë të printuar ,fotografuar, skenuar..), ku specifikohet emri/mbiemri dhe pozita që kanë në medium”, përfundon komunikata e AGK-së.