Sami Kurteshi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

AGK dënon gjuhën e Sami Kurteshit ndaj gazetares Besarta Hoti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka dënuar fuqishëm fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave.

Ky reagim i AGK vjen për shkak të një deklarate të Kurteshit në media, më 12.03.2025, të cilën AGK e ka quajtur “skandaloze”.

Sipas AGK, gjatë një pyetjeje drejtuar Kurteshit nga gazetarja e ‘Gazeta Nacionale’, Besarta Hoti, ai i është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë.”

“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve” – thuhet në reagimin e AGK-së, më 12.03.2025.

Si përfundim, AGK i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave.

“Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë” – thekson AGK.

Shënim: Lajmi është edituar, pasi AGK e ka edituar njoftimin e saj. Koha e editimit: 16:26 – 12.03.2025.