AGK dergon komentet per ligjin per KPM-ne ne Gjykaten Kushtetuese, 20.08.2024 - Foto KALLXO
AGK dërgon komentet në Kushtetuese për ligjin e shumëpërfolur për KPM-në
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet për Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha deklaroi se për herë të parë do të merret një vendim për një ligj sa i përket lirisë së medias.
“Besojmë që edhe komentet tona por edhe të palëve të tjera që e kanë dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, do ta bindin, shpresojmë, Gjykatën Kushtetuese që ligji është antikushtetues dhe ai do të shfuqizohet në tërësi” – deklaroi Rexha pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuese.
Ai thotë se hartimi dhe përmbajtja e ligjit janë në kundërshtim me lirinë universal të medias.
Tutje në konferencë, juristja Flutura Kusari thotë se disa nene që kanë të bëjnë me funksionimin e KPM-së bien ndesh me disa nene të Kushtetutës.
“Në veçanti bien ndesh me parimin e barazisë gjinore, me lirinë e medias dhe pavarësinë e KPM-së. Në kemi argumentuar që disa prej neneve duhet të shfuqizohen dhe nëse këto nene shfuqizohen, ligji nuk mund të mbijetojë për shkak se bëhet i pazbatueshëm në praktikë, prandaj shpresojmë që ligji do të shfuqizohet në tërësi” – deklaroi Kusari.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin e Komisionit të Pavarur për Media me 59 vota për, më 11.07.2024.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca para hedhjes në votim të këtij Projektligji, pati thënë se Komisoni për Integrim Evropian ka vlerësuar se projektligji dhe amendamentet janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e BE-së.
“Komisioni për Integrim Evropian ka vlerësuar she projektligji dhe amandamentet janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e BE-së. Nuk pasna pa ndonjëherë kësi konstatimi- që janë pjesërisht. Ka çështje që në mënyrë universale nuk trajtohen nga legjislacioni i BE-së prandaj shtetet i rregullojnë sipas mënyrave të veçanta të tyre, dhe kur bie diçka, ajo nuk është pjesërisht- ajo bie në kundërshtim thuhet pastaj. Po i bie që një pjesë janë në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Se nëse janë pjesërisht në kundërshtim nuk ish dashtë deputetët me votu”- pati deklaruar Konjufca.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani më 11.07.2024 pati thënë se të gjitha komentet janë shqyrtuar dhe ka ftuar deputetët ta votojnë projektligjin.
“Komisioni Parlamentar për Media ka gjashtë muaj që e shqyrton këtë Projektligj. Ka mbajt 8 dëgjime publike. Kemi pasur komente të shumta nga organizatat vendore, shoqëria civile, OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës. I kemi shqyrtuar këto komente dhe janë 93 amendamente që e ndryshojnë edhe në përbërje këtë Projektligj. Ju ftoj ta votoni”- pati thënë Ramadani.
Ky Projektligj i dorëzuar më 27.12.2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.
Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Lidhja Demokratike e Kosovës, më 19.07.2024 ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media.
Njëjtë pati vepruar edhe Partia Demokratike e Kosovës më 18.07.2024.
Qeveria e Kosovës e pati mbrojtur publikisht këtë ligj duke deklaruar se parim është që të dihet se kush e plason lajmin.
“Ky Ligj në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg. Kjo, sepse ky Ligj në plotni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele (AVMS) të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për projektligjin që u miratua më 11.07.2024.
Bashkimi Europian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, duke përfshirë edhe atë për Komisionin e Pavarur për Media.
Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.
Pas miratimit të këtij ligji ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore”- thuhet në deklaratën e OSBE-së, të lëshuar më 11.07.2024.
Projektligj për KPM-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27.12.2023, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 07.03.2024 të këtij viti.
Më 01.02.2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës reaguan duke thënë se nisma e qeverisë për ndryshime në ligjin për KPM-në, ka për qëllim kontrollin e mediave online.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani në emisionin KallxoPernime të datës 03.02.2024 kundërshtoi mundësinë që ky ligj censuron mediat.
“Nuk janë duke u cenzuruar mediat. Ata (AGK dhe KMSHK) i kanë bërë disa huqje, kanë dezinformuar. Mediat online nuk kanë me pas licencim, ky është dezinformimi. Nuk po them që e kanë bërë me qëllim” – kishte thënë Valon Ramadani në KallxoPernime.
“Regjistrimi ka me qenë vullnetar, nuk ka me qenë detyrim, s’mund ta gjeni në ligj që është detyrim” – tha ai.
Në anën tjetër, Labinot Leposhtica, koordinator i zyrës ligjore në BIRN pati deklaruar se Qeveria e Kosovës do të duhej të organizonte një fushatë përmes së cilës do të informohej komuniteti i gazetarëve mbi ndryshimet që pritet të ndodhin përmes këtij projektligji.
“Kjo tregon mosgatishmërinë e iniciuesit të projektligjit, Zyrës së Kryeministrit që me pas një proces sa më gjithëpërfshirës. Këtu edhe nëse refuzojnë mediat dhe organizatat me qenë pjesë, ZKM do të duhej me pas një fushatë sa më informuese që po ndodh ky proces” – pati deklaruar ai.
Ligji i ri për KPM-në synon të vë rregull në videot e mediave online
Plani i Qeverisë Kurti për t’i regjistruar mediat online – LIVE