AGK dënon sulmin ndaj TV Syrit në Gjakovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin që është bërë ndaj TV Syri Vision në Gjakovë, ku dyshohet se pas mesnatës, një person me mjet të rendë ka hyrë në objektin e mediumit dhe ka dëmtuar hapësirat e televizionit.

AGK këtë sulm e konsideron si “një kërcënim ndaj sigurisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, veçanërisht në një ditë të rëndësishme për procesin demokratik në vend”.

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, mirëpo në raportin policor, sipas AGK-së, “nuk është specifikuar që mjeti i përdorur për sulmin është pjesë e ngrohtores së qytetit dhe nuk ka qenë i regjistruar”.

Derisa AGK i konsideron sulmet ndaj mediave si të papranueshme, u bënë thirrje organeve të rendit për trajtim profesional të rastit në fjalë.