AGK dënon sulmin ndaj ekipit të Gazetës "Blic" në Mitrovicë të Veriut

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin fizik ndaj ekipit të Gazetës Blic në veri të Mitrovicës.

Sipas AGK-së, ekipi i gazetës Blic ka qenë në Mitrovicë për realizimin e një storie për situatën e krijuar pas pandemisë së coronavirusit.

“AGK është njoftuar se ekipi i Gazetës Blic, i përbërë nga gazetarët Nebih Maxhuni, Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi, është sulmuar sot në veri të Mitrovicës, gjatë realizimit të një storje për situatën e krijuar nga virusi Corona”, thuhet në komunikatën e AGK.

Tutje AGK ka dhënë detaje sesi ka ndodhur sulmi ndaj gazetarëve.

“Sipas raportimeve të Gaztës Blic, ekipi ishte afruar pranë një pike ku shitej miell dhe flisnin me qytetarët për të parë si po shkon furnizmi, kur ata janë sulmuar nga dy qytetarë, duke u goditur me grushte e shkelma”, thuhet tutje aty.

Sipas AGK, gazetari Maxhuni është duke marrë tretman mjekësor në spitalin e qytetit të Mitrovicës.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe ekipi i Gazetës Blic është intervistuar.

AGK ka kërkuar nga organet e sigurisë që sa më parë ta hetojnë këtë rast.

“AGK do ta përcjell me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase”, thuhet tutje.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ky sulm është një akt i shëmtuar ndaj lirisë së mediave.

“Sulmi i tillë ndaj gazetareve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Vlerësojmë se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medieve, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, thuhet tutje.