AGK dënon sulmin fizik ndaj gazetares nga personeli i Sllavko Simiq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin që iu është bërë ekipit të gazetarëve të portalit arbresh.info nga personeli i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq.

AGK thotë se personeli i Simiq nuk e ka lejuar ekipin e gazetarëve të arbëresh.info të ndjek një vizitë që nënkryetari i Kuvendit e ka pasur në fshatin Prilluzhë të Vushtrrisë. Sipas tyre, këtë ngjarje janë lejuar ta ndjekin vetëm mediat serbe.

“Për më tepër, siç bën të ditur gazetarja e arbresh.info, Elmedina Ballazhi, pas tentimit së saj për të hyrë në takimin e dytë, ajo është sulmuar nga personeli i Simiqit, duke e goditur atë me bërryl në gjoks dhe duke i mbyllur derën asaj dhe kameramanit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Mirëpo, Simiq ka deklaruar se ata që nuk i kanë lejuar të hyjnë në takim, nuk kanë qenë zyrtar të stafit të tij.

“Nuk ishte stafi im. Gazetarët tuaj janë gjithmonë të respektuar. Më vjen keq për të gjitha këto keqkuptime. Shihemi në Prishtinë, dhe faleminderit për mirëkuptim”, është shprehur Simiq në formë të shkruar, pas gjithë këtyre telasheve në lidhje me raportimin nga këto vizita.

AGK ka kërkuar nga Simiq të distancohet nga këto veprime si the ka bërë thirrje që zyrtarët shtetëror të jenë transparent në punën e tyre.