AGK dënon sjelljen e kryetarit të Shtërpcës ndaj gazetarit të RTK2, Bojan Tomiq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sjelljen e kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ndaj gazetarit të RTK 2, Bojan Tomiq.

Në njoftimin e AGK-së bëhet e ditur se ditën e aksionit të policisë në Shtërpcë, gazetari që kishte pritur për të marr një pronocim nga kryetari, ky e fundit e kishte ofenduar atë duke i thënë se përhap gënjeshtra.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës -AGK, e konsideron të papranueshme sjelljen e kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ndaj gazetarit të kanalit të dytë të transmetuesit publik, RTK2, Bojan Tomiq. Gazetari e ka njoftuar AGK-në, se në ditën e aksionit të Policisë në Komunën e Shtërpcës ka pritur në radhë që të marrë një prononcim të kryetarit Jevtiq për aksionin, por ai ka refuzuar duke e ofenduar gazetarin”, thuhet në reagimin e AGK-së

“Ti mos m’u drejto. Të gjithëve mund t’ju jap deklarata, vetëm ty jo. Ti nuk je gazetar, ti përhapë gënjeshtra dhe të pavërteta. Ti nuk je gazetar. Flas për të gjithë, por për ty jo”, citon Tomiq t’i ketë thënë kryetari Jevtiq.

Sipas gazetarit të RTK2, arsyeja e sjelljes së Jevtiqit mund të lidhet me një kronikë të këtij televizioni për nivelin e ujit të pijshëm në këtë komunë.

AGK-ja e ka dënuar gjuhën e përdorur nga kryetari Jevtiq, dhe u kujton zyrtarëve të zgjedhur publik që e kanë për detyrë të japin informacione në interes të publikut.

Policia e Kosovës ka zbatuar dje urdhrin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e disa lokacioneve në qytetin e Shtërpcës.

Sipas njoftimit të policisë, janë sekuestruar kompjuterë, dosje me dokumente, libra amëz, etj.

Po ashtu gjatë këtij aksioni janë larguar edhe kamerat ilegale të cilat monitoronin qytetin.

Kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në qytetin e Shtërpcës, dje janë larguar nga Policia mbi dyshimin se struktura ilegale janë duke vepruar kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale – bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit.

Dyshimet janë se pamjet e këtyre kamerave që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve publike të Republikës së Kosovës janë bartur më pas në Serbi.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas këtij aksioni në të cilin nuk pati ndonjë të arrestuar.

Ata aksionin  e kanë quajtur të qëllimshëm për të frikësuar serbët në Komunën e Shterpcës.

Ekskluzive – Detaje nga operacioni i Shtërpcës