AGK dënon kërcënimin ndaj gazetarëve të Radio Gorazhdecit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka reaguar pas kërcënimit ndaj gazetarëve të Radio Gorazhdecit.

Sipas komunikatës së AGK-së, shefi i deskut të Radio Gorazhdecit, Milic Petrovic, është kërcënuar verbalisht sot në zyrat e kësaj medie nga ana e Momir Bulatovic, djali i një zyrtareje civile në stacionin lokal policor në Pejë.

“Sipas njoftimit shkak për këtë kërcënim është bërë një shkrim i Radios për një peticion sa i përket ankesave për sjelljen e një polici. “Shtrëngoni dhëmbët nëse nuk e hiqni tekstin kundërthënës”, i ka thënë Bulatoviq gazetarit.  Policia e ka shoqëruar kërcënuesin në stacion, dhe gjithashtu ka marrë deklaratën e gazetarit”, thuhet po ashtu në komunikatën e AGK-së.

AGK-ja ka dënuar këtë kërcënim duke ftuar organet e rendit që ta trajtojnë me prioritet për shkak se ndikon direkt në sigurinë e gazetarëve.