AGK dënon kërcënimin ndaj gazetares së ‘Gazetës Shneta’

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarja e mediumit “Gazeta Shneta”, Diellza Luzha, është kërcënuar nga njëri shofer i autoambulancës në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Sipas AGK-së, Luzha sot ka raportuar për keqpërdorimin e autoambulancës në Spitalin e Mitrovicës, që për të njëjtin është kërcënuar nga njëri nga shoferët.

“Gazetarja Diellza Luzha ka raportuar sot përmes një artikulli për keqpërdorimin e autoambulancës në Spitalin e Mitrovicës. Për këtë shkrim, Luzha është kërcënuar nga njëri prej shoferëve, Bajram Ferati. Ferati është kontaktuar fillimisht nga gazetarja për të marr një sqarim në lidhje me keqpërdorimin e autoambulancës, por ai nuk ka pranuar të flas. Ndërkaq, pas publikimit të artikullit, ai e ka kontaktuar gazetaren duke e kërcënuar dhe ofenduar” – thuhet njoftimin e AGK-së.

“Ngom mirë. 15 herë unë me marr autoambulancën, bonu e bindur që nuk ke me thirr ma kërkon. A u kuptuam. Unë e kam marr autoambulancën dhe apet e marr”- citohet të thënë shoferi i autoambulancës, sipas AGK-së.

Përmes reagimit, AGK thotë se dënon gjuhën fyese dhe kërcënuese ndaj gazetares Luzha, njëherësh ka ftuar organet kompetente ta trajtojnë rastin me prioritet.