AGK dënon kërcënimin e biznesmenit Latif Kryeziu ndaj gazetarit Bekim Kabashi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se me shqetësim ka pranuar njoftimin se biznesmeni, Latif Kryeziu, ka kërcënuar drejtorin e gazetës Online “Reporteri”, Bekim Kabashi.

AGK përmes një komunikate për media njofton se, më 12.03.2020 rreth orës 19:00, ky medium ka raportuar se Kryeziu ka kërcënuar gazetarin Kabashi përmes mesazhit në “Whatsapp” me fjalët “Mjer ju çka keni me përjetu”, dhe së bashku me një person tjetër kanë shkuar në shtëpinë e Kabashit në Rahovec, ku kanë bërë presion te prindërit e tij.

Sipas gazetës online “Reporteri” ky rast ka ndodhur si rrjedhojë e publikimit të një artikullit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se ky rast është tejet serioz dhe përbën kërcënim të rrezikshëm për lirinë e medieve dhe integritetit fizik të gazetarëve. Për më tepër, për AGK është tejet shqetësuese dhe e papranueshme përfshirja dhe presioni ndaj familjes së gazetarit, për ç’gjë duhet të merren ugjentisht organet e rendit dhe drejtesisë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

AGK bën thirrje sërish që kushdo qe mund të ketë pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga gazetarët, t’i ndjekin rrugët ligjore dhe asesi të përdorin gjuhë kërcënuese.

Më tej, AGK inkurajon gazetarët që të mos zbrapsen nga kërcënimet e tilla ndërsa rastet e pengimit në punën e tyre profesionale t’i lajmërojnë gjithsesi edhe në polici.