AGK dënon gjuhën linçuese të Hysen Durmishit ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka konsideruar shqetësues dhe të papranueshëm linçimin publik të bërë nga zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ndaj drejtorit të televizionit ‘Klan Kosova’, Baton Haxhiu, dhe ndaj kryeredaktorit të gazetës online ‘Insajderi’, Vehbi Kajtazi.

Përmes një shkrimi në Facebook, Durmishi, ndër të tjerë, ka kërkuar arrestimin e dy gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë këtë lloj kërcënimi, meqenëse është hera e tretë që reagon ndaj gjuhës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që të distancohet nga kjo qasje ndaj gazetarëve dhe i ka bërë thirrje Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike.

Ky reagim i Durmishit ka ardhur pas deklaratës së Avni Deharit, babait të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili u gjet i vdekur në muajin nëntor të vitit 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Avni Dehari, njëjtë si Durmishi, i kishte akuzuar, Baton Haxhiun dhe Vehbi Kajtazin, se kanë raportuar se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje.

Kjo ndodhi pasi Prokuroria i kishte thirrur prindërit e Astrit Deharit për t’ua dorëzuar raportin e Institutit zviceran mbi vdekjen e Astrit Deharit.

Raportin e plotë mbi vdekjen e Astrit Deharit në gjuhën shqipe mund ta lexoni KËTU.

Raportin e plotë mbi vdekjen e Astrit Deharit në gjuhën frënge mund ta lexoni KËTU.