AGK dënon fyerjet e kërcënimet ndaj gazetarit Bujar Vitija

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fyerjet, linçimet e kërcënimet e bëra ndaj gazetarit Bujar Vitija, pasi që ka publikuar disa shkrime rreth dyshimeve për korrupsion në Spitalin e Vushtrrisë.

AGK-ja e dënon gjuhën e përdorur ndaj gazetarit Vitija, dhe konsideron se ajo pengon punën e tij dhe të gazetarëve të tjerë. “Të gjitha organet duhet ta bëjnë punën e tyre profesionale, për të zbardhur ngjarjet rreth akuzave të ngritura” – thuhet në reagim.

Për kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve organizata Human Rights Watch (HRW) ka shkruar në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë, i cili u publikua sot.

Aty trajtohet çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimi i dobët i organeve të shtetit.

Sipas raportit, në periudhën janar-gusht 2022, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

HRW e citoi AGK-në të ketë thënë se hetimet penale për këto raste janë të ngadalshme.

“Shoqata raportoi se në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe frikësim në platformat e mediave sociale”, u tha në raportin vjetor.