AGK: Dënojmë sulmin e Hardinajt ndaj mediave dhe gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin e Ramush Haradinajt ndaj mediave e gazetarëve në Shqipëri dhe Kosovë.
“Kryetari i AAK-së njëherësh deputeti, Ramush Haradinaj, ka sulmuar sot mediat në Shqipëri dhe Kosovë duke i quajtur ‘mercenarë’ dhe ‘të shitur’, pas pretendimeve të tij se ato kanë raportuar se mund të konsiderohet si kandidat për President të Shqipërisë. Për më tepër, Haradinaj i ka akuzuar mediat se punojnë “’kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës’”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Një gjuhë e tillë, sipas AGK-së është kërcënuese, denigruese, e papranueshme dhe që rrezikon sigurinë e gazetarëve.
AGK-ja e fton Haradinajn dhe të gjithë akterët politikë që ankesat e tyre për raportimet t’i drejtojnë në organet vetërregulluese, dhe të përmbahen nga gjuha fyese dhe kërcënuese.
Të premten, Ramush Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook ka demantuar lajmet se ai do të jetë president i Shqipërisë.
Lajmet e tilla Haradinaj i ka quajtur shpifje “nga gazetarë të shitur e mercenarë të mediave”.
“Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.