AGK: Arrestohet dhe shoqërohet në Polici kameramani Arianit Tahiri
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se është arrestuar dhe shoqëruar në Policinë e Kosovës, kameramani i emisionit “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.
Nga AGK teksa janë shprehur të alarmuar në lidhje me këtë rast, bëjnë të ditur se Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren, Alberta Hashani, duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve.
“Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm”- thuhet në komunikatë.
AGK ka thënë se pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që sipas Asociacionit, ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë.
AGK-ja thotë se e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin.