
Agjentët doganorë në Han të Elezit ankohen se mbeten pa rrymë - VIDEO
Agjentët doganorë në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit janë duke u ankuar se kanë probleme me energji elektrike dhe se janë duke funksionuar me një gjenerator.
Si pasojë, ata thonë se procedurat e zhdoganimit në këtë Terminal janë vështirësuar së tepërmi, saqë plot lëndë dërgohen nëpër Terminale të tjera për të kryer procedurat.
Ata janë ankuar gjithashtu se pasi që ky Terminal u kthye në pronë të shtetit, aty nuk është shpronësuar edhe pjesa e hapësirës së kontrollës dhe, si rrjedhojë, kjo po u shkakton probleme.
Më 3 shkurt 2025, ministri Hekuran Murati kishte njoftuar se Terminali tashmë në pronë të shtetit kishte filluar punën.
Xhevdet Ramuka, agjent doganor, thotë se shteti ka lënë pa shpronësuar shumë hapësira që i nevojiten Terminalit.
“Terminali – Është marrë vetëm hapësira e Parkingut, e jo hapësirat më kyçe që janë. Ajo hapësira e kontrollit dhe rryma. Tash jemi pa rrymë. Nuk kemi rrymë. Sepse, nuk e ka marrë rrymën gjatë studimit të fizibilitetit, nuk e ka parapa me marrë rrymën. E ka parapa me marrë vetëm hapësirën e Parkingut.” – ka thënë Ramuka.
Nezir Dernjani, një tjetër agjent doganor, ankohet se pasi që hapësira kontrolluese mbeti në pronë private, disa procedura të zhdoganimit detyrohen t’i kryejnë në Terminalin Doganor në Ferizaj.
“Qe ku është hangari këtu. E ka mbyll shteti. Edhe më, ne kemi mbetur në hapësirë kërkund hiq. Tash, kamioni që vjen këtu në Han të Elezit, domethënë tash për momentin duhet me shku në Ferizaj, me e kry shikimin e mallit, kamionëve, për shkak se nuk kemi kushte ne këtu në Han të Elezit.”
Visar Shiti është një tjetër agjent doganor i cili ankohet për problemet me rrymën në Terminalin e Hanit të Elezit.
“Puna e rrymës nuk është stabile. Se ne, që sa është hapur Terminali, na nuk kemi rrymë. Direkt jemi me agregat. Agregati nuk po i çon këto krejt pajisjet tona, që i kemi këtu. Janë printerë, janë kompjuterë e sene. Mua m’u ka djeg. Ka edhe kolegë të tjerë të cilët kanë pasur pasoja të tilla. Qe edhe me kabllo qysh po punojmë, po e shihni edhe vetë. Nuk e di qysh me funksionu ma andej për besë.”
As Dogana e Kosovës e as Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje, se pse ky Terminal Doganor ka probleme me rrymën, si dhe kur do të bëhet zgjidhja për hapësirat kontrolluese që i nevojiten Terminalit.
Ndërsa, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi ka thënë se Terminali ka njehsor elektrik, por sipas tij aty është rritur kapaciteti dhe kjo është arsyeja pse kanë probleme.
“Ju informojmë se Terminali Doganor ka njehsor elektrik, megjithatë me gjasë e kanë rritur kapacitetin e tyre – gjë që është arsyeja pse po kanë probleme. Përveç kësaj, ky Terminal Doganor ka filluar aktivitetin në objektet e reja – pa rritur kapacitetin. Ky institucion ka aplikuar për rritje të fuqisë – kapacitetit dhe është në proces të pëlqimit elektroenergjetik. Edhe para një muaji, KEDS-i i ka ndihmuar këtij Terminali dhe prapë do të shoh nëse mund t’i ndihmojë, derisa të bëhet rritja e kapacitetit.” – ka bërë të ditur Krasniqi.