Agjensioni i ‘Ftyrës’ reagon pas tërheqjes së amerikanëve e britanikëve
Në orët e vona të ditës kur Ambasada Amerikane në Kosovë kumtoi se është tërhequr nga Agjensioni Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ky agjension tha se në kuadër të kompetencave të veta ashtu siç është paraparë me ligi ka vazhduar “me përkushtim të shtuar” të implementojë të gjitha rastet e vendosura më herët.
“Si Agjenci e pavarur e themeluar sipas nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mandati ynë është të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit të zgjidhë dallimet në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit 1999”, thuhet në komunikatë.
Agjensioni tha se në pritje të kthimit të dokumenteve kadastrale, Agjencia ka vazhduar me zbatimin e vendimeve nga mandatet e trashëguara nga Agjencia Kosovare e Pronës përkatësisht Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore.
Pavarësisht largimit të britanikëve nga ky agjension në kohën e zgjedhjes së Naser Shalës, një bashkëluftëtar i Zëvendës Kryeministrit Fatmir Limaj, dhe tërheqjes së amerikanëve gjatë ditës së sotme, AKKVP i referohet mbështetjes që ka marrë nga ndërkombëtarët.
“Me përkrahjen e pa rezervë të anëtareve ndërkombëtare të bordit dhe me mbështetjen e zyrës se PPBE-se jemi ne fazën finale të zbatimit te vendimeve mbi kthimin e të drejtave të shfrytëzimit mbi banesat në pronësi shoqërore të cilat janë humbur si rezultat i diskriminimit, dhe kompensimit përkatës”, thuhet në komunikatë.
Komunikata thotë se me emërimin e menaxhmentit të ri nga ana e Kuvendit të Republikes së Kosoves, Agjencioni ka vazhduar me ngulm lirimin e pronave të uzurpuara në të cilat ekzistojnë banues të paligjshëm.
“Agjencioni në këtë drejtim ka bërë dëbimin në disa nga 55 pronat në të cilat ekzistojnë uzurpime të paligjshme dhe prioritet i është dhëne atyre që kanë Aktgiykim te Gjykatës Kushtetuese te datuara që nga viti 2014. Nga kjo kategori është bërë lirimi i pronës në 4 raste dhe rasti i pestë është në proces”, thuhet në komunikatë.
“Për mosekzekutimin e këtyre pronave është cekur edhe në Raportin e progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën 2016. Kjo është përsëritur për 3 vite me radhë, duke përjashtuar vitin 2019”, vazhdon komunikata.
“Po ashtu kemi vazhduar me lirimin e pronave të uzurpuara edhe në pjesën veriore te Mitrovicës në përputhje me vendimet e lëshuara nga ana e Komisionit për Kërkesa Pronësore. Përderisa gjatë vitit 2018 në pjesën veriore të Mitrovicës janë bërë vetëm 3 lirime të pronave, që nga marsi 2019 e deri tani Departamenti I Ekzekutimeve ka liruar 6 prona”, thuhet aty.
Agjensioni thotë se pas emërimit të menaxhmentit nga ana e Kuvendit të Republikës se Kosovës janë liruar përafersisht 40 prona.
“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kemi filluar me rekrutimin e stafit të nevojshëm për mbarëvajtjen sa më efikase të punëve në Agjencion, pasi që gjatë katër viteve të fundit shumë nga zyrtarët kanë dhënë dorëheqje”, thotë AKKVP.