Foto: ZKM

Agjenda e takimit në Bruksel, Kurti: Vendimet e Qeverisë nuk i negociojmë

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka deklaruar se në takimin më 18 gusht që pritet të mbahet në Bruksel, nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse.

Ndërsa, cila është agjenda nga ky takim, kryeministri Kurti tha se ende nuk kanë një njoftim zyrtar.

Kurti ka deklaruar se në këtë takim është i interesuar të diskutojnë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që duan ta arrijnë me dialog.

“Ne nuk kemi një njoftim zyrtar mbi agjendën. Por, ajo çfarë kemi shkëmbyer gjatë komunikimit me Josep Borrellin, që është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, është se duhet ta synojmë dialogun për marrëveshje – jo dialogun për dialog, por dialogun për marrëveshje – që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe përveç kësaj një marrëveshje, e cila e bën normalizimin e plotë, duke e pasur në qendër njohjen reciproke”- ka thënë Kurti në intervistën për REL.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se vendimet e Qeverisë nuk do t’i negociojnë.

“Por, ajo çfarë duhet të bëjmë në dialog është ta realizojmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Për atë është dialogu. Nuk është dialogu për të diskutuar për vendimet e Qeverisë së Kosovës. Ne, si Qeveri e Kosovës, i përgjigjemi Kuvendit të Republikës, qytetarëve të vendit tonë”- ka deklaruar ai.

Më 1 gusht, presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranuan ftesë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të vazhduar dialogun për të gjitha çështjet e hapura.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 2 gusht se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit që më 18 gusht të mbahet rundi i ri i dialogut me Kosovën, por tha se ai nuk e di “se për çfarë tjetër mund të flasim”.

Ftesa për dialog erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në Kosovë, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Serbët kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.

Vendimet e ekzekutivit kosovar kanë të bëjnë me pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës. Një gjë të tillë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet. Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu ka për synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret. Për herë të fundit ata kanë zhvilluar bisedime në korrik të vitit 2021.

Këtu mund ta ndiqni intervistën e plotë për Radio Evropa e Lirë.