AIP/ Foto: Agjencia për Informim dhe Privatësi
Agjencia për Privatësi gjen se Bordi i KPMM-së kundërligjshëm ka pasur qasje në dosjet personale të punëtorëve
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjetur se Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, kundërligjshëm ka pasur qasje në dosjet e punëtorëve, të cilat përmbajnë të dhëna personale dhe shëndetësore.
Mbi këtë Agjencia në fjalë përmes vendimit të datës 04.10.2024 e ka urdhëruar KPMM-në të ndërmarrë masat e nevojshme për sigurinë e të dhënave personale të stafit si dhe e ka obliguar që përpunimin e tyre ta bëjë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Vendimi i AIP-së i referohet veçanërisht përcaktimeve të Rregullores për Dosjen të Personelit, ku përcaktohet se qasja në dosjet personale të zyrtarëve publikë është konfidenciale dhe qasja në të është e ndaluar.
“Në kuptimin e kësaj rregullore në të cilën janë përcaktuar kategoritë, e personave që kanë qasje në dosje të personelit, konstatojmë se veprimet e ndërmarra nga ana e Bordit të KPMM-së, janë në kundërshtim me këtë rregullore dhe në kundërshtim me parimet e LMDhP-së” – thuhet në vendimin e AIP-së të datës 04.10.2024.
AIP ka konstatuar se KPMM nuk ka ndërmarrë masat e duhura të sigurisë së të dhënave personale të cilat ndodhen në dosje, duke i ofruar qasje Bordit dhe personave të tjerë të cilët nuk janë të autorizuar.
Me ketë rast sipas AIP-së ky Komision ka pëpunuar të dhëna personale në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Gjatë inspektimit KPMM ka konstatuar se sistemi me të cilin punojnë nuk është në domenin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), por punojnë me file server të KPMM-së.
KPMM gjithashtu lidhur me qasjen në dosje të personelit ka theksuar se vetëm Drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Drejtori i Departamentit të Administratës ka një qasje të tillë.
Kurse sa i përket Bordit të KPMM-së, qasja e vetme e tyre është shikimi të dosjeve përmes sistemit elektronik dhe jo mundësia për ndërhyrje.
Gjithashtu sipas KPMM deri më tani nuk kanë pasur asnjëherë kërkesë me shkrim dhe në formë verbale nga ana e Bordit lidhur me qasjen në dosje të personelit dhe në raste të paraqitjes së kërkesës ajo duhet të jetë e përpiluar sipas legjislacionit aktual, theksohet në vendim.
Aty gjithashtu përmendet se deri tek inspektimi ka ardhur pas një ankese të drejtuar në Agjenci ku thuhej se Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka siguruar qasje elektronike të drejtpërdrejt në dosje të personelit, nëpërmjet zyrtarit të IT-së.
Ankuesi ka pretenduar se qasja ne të dhënat personale dhe shëndetësore të dosjeve të personelit nga ana e Bordit është bërë në mënyrë të fshehtë si formë shantazhi për arritjen e tyre jo legjitime.
Kallxo.com ka pyetur KPMM-në nëse i kanë ndërmarrë të gjitha masat për të zbatuar vendimin e AIP-së.
Si përgjigje KPMM ka dërguar vendimin për zbatimin e vendimit të AIP-së të marrur nga U. D. drejtori i përgjithshëm Haradin Gërvalla.
Në vendim është përcaktuar të zbatohet vendimi i AIP-së, të njoftohet kjo e fundit brenda afatit të paracaktuar.
Vlen të ceket se vendimi i AIP-së i referohet Rregullores nr. 012020 për përmbajtjen, administrimin dhe përdorimin e dosjes së personelit dhe sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore, në fuqi në kohën e vendimit.
Ndërkohë që e njëjta është shfuqizuar nga Rregullorja nr. 05/2024 për dosjen individuale dhe sistemin informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore, vetëm pak ditë më pas.