Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Foto: KALLXO.com - Arkiv

Agjencia për Menaxhim të Emergjencave raporton në Kuvend për punën gjatë vërshimeve të janarit

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shefki Abdullahu, ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Temë kyçe në këtë raportim ka qenë çështja e vërshimeve në janar që goditën disa nga qytetet e Kosovës duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Abdullahu ka treguar se një raport lidhur me këto vërshime i është dërguar Komisionit.

Ai tutje i ka përmendur disa nga rajonet që janë prekur nga këto vërshime, duke treguar se rajoni i Pejës dhe Mitrovicës kanë qenë më të rrezikuarat.

“Fati më i madh në këtë fatkeqësi është që nuk kemi pas jetë të humbura” – ka thënë ai.

Tutje zëvendësdrejtori i AME-së ka thënë se kanë pasur ngritje të nivelit të gatishmërisë në të gjitha qendrat emergjente në të gjithë territorin e Kosovës jo vetëm në rajone ku ka pasur vërshime.

“Zjarrfikësit i kanë ngritur nivelet e gatishmërisë dhe janë përforcuar me ekipe shtesë” – ka thënë Abduallhu duke treguar se këto ekipe kanë qenë të gatshme për reagim gjatë gjithë kohës.

Ai po ashtu ka treguar se në raste të tilla së bashku me ekipet e tjera për reagim emergjent, përfshirë këtu edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, janë gjatë tërë kohës në bashkëpunim.

Tutje Abdullahu ka treguar se Podujeva ka pasur reshje shiu dhe pak vërshime, por që sipas tij nuk kanë kërkuar ndihmë nga AME pasi i kanë shfrytëzuar resurset e tyre.

Më 19 janar 2023 disa komuna të vendit u goditën nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut, e pas rënies së nivelit të ujit nëpër komunat e prekura, patën filluar të dalin në pah pasojat.

Vizita të shumta nga krerët e shtetit, e jo vetëm, patën këto komuna e qytetarët që u prekën nga vërshimet.

Disa shkolla u mbyllën në pamundësi për të mbajtur mësim për shkak të kushteve, e pati edhe thirrje të shumta për të mos e konsumuar ujin për shkak se i njëjti ishte ndotur.