Mitrovica e Veriut, foto nga arkivi

Agjencia për Informim dhe Privatësi: Vetëm Policia ka autorizim për kontrollimin dhe vëzhgimin me kamera në hapësira publike

Hapësira të shumta publike në komunat Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq e Mitrovicë Veriore po vëzhgohen nga kamera të sigurisë, të vendosura në lokacione të ndryshme, në objekte e shtylla elektrike.

Këto pamje që kapin kamerat e vendosura në mbi dhjetë lokacione nuk kontrollohen dhe as nuk menaxhohen nga komunat në veri e as nga institucionet e sigurisë të Kosovës.

KALLXO.com për disa ditë me radhë ka udhëtuar në zonën e veriut të Kosovës për të gjurmuar dhe lokalizuar kamerat të cilat incizojnë hapësirat publike.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe e punëtorë brenda këtyre komunave kanë pranuar se nuk menaxhojnë këto kamera ndërsa nuk e dinë se kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon ato.

KALLXO.com ka kërkuar një opinion ligjor nga Agjencia për Informim dhe Privatësi në lidhje me vendosjen e këtyre kamerave të sigurisë që vëzhgojnë qytetarët në hapësira publike si dhe ligjshmërinë e funksionimit të tyre.

AIP në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka theksuar se është Policia e Kosovës në bazë të ligjit ka autorizime ligjore që të vendosë kamera të sigurisë.

“Ashtu edhe siç kemi thënë në përgjigjet paraprake, Policia e Kosovës ka autorizime ligjore në bazë të nenit 25 të Ligjit Nr.04/L-076 për Policinë të vendos kamera të sigurisë, të cilat bëjnë vëzhgimin parandalues të vendit publik. Po thuajse, shumicën e kamerave e mbikëqyrë dhe kontrollon Policia. Nëse të njëjtat janë vendosur nga komunat, mbikëqyrja dhe kontrolli i tyre duhet të i jepet Policisë së Kosovës. Për këtë është filluar edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mes të AIP dhe PK, për të pasur një vlerësim të saktë në të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e AIP për KALLXO.com.

Tutje ata tregojnë një shembull që ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në komunën e Pejës.

“Pas marrjes së informacionet se komuna e Pejës ka të vendosura sisteme të vëzhgimit me kamerë në hapësira publike, mbikëqyrjen e të cilave e bënë vetë komuna, AIP ka zhvilluar inspektimin në këtë komunë, ku më pas ka urdhëruar të njëjtën të ndaloj përpunimin e të dhënave dhe ka obliguar të shkatërroj të dhënat personale të grumbulluara përmes këtij video vëzhgimi. AIP është njoftuar nga komuna e Pejës, se vendimi është zbatuar dhe se të njëjtat pas rregullimit të infrastrukturës së nevojshme, do të transferohen në dhomën për monitorim të kamerave në ndërtesën e Policisë në Pejë”, thuhet tutje në përgjigjet e AIP.

Madje në të njëjtat përgjigje përmendet edhe se komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka zhvilluar takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë për koordinimin e aktiviteteve nga fushëveprimi institucional për të bërë një vlerësim të gjendjes që ka të bëjë me sistemin e vëzhgimit me kamerë në hapësira publike në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe komunat të banuara me shumicë serbe.

“Pas takimit të zhvilluar drejtoria përkatëse e Policisë ka kërkuar nga drejtoritë rajonale të bëjnë inspektimin e të gjitha kamerave të vendosura në hapësira publike në rajonet e tyre në mënyrë që të bëhet një vlerësimin dhe të njoftoj AIP-në, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve brenda mandatit të saj”, thuhet në përgjigjet e AIP për KALLXO.com.

AIP ka thënë edhe se asnjë institucion tjetër përveç Policisë së Kosovës dhe institucioneve të zbatimit të ligjit nuk mund të vëzhgojnë hapësirat pa bazë ligjore.

“Për vëzhgimin e hapësirave publike janë institucionet e përcaktuara me ligj. Çdo përpunim i të dhënave personale përmes vendosjes së sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësira publike, qoftë nga personat fizik apo personat juridik që nuk ka autorizime ligjore, bie ndesh me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në përgjigje.

KALLXO.com për disa ditë me radhë ka udhëtuar drejt katër komunave në veri të Kosovës, me qëllim që të lokalizojë kamerat e vendosura ditëve të fundit e që pretendohet se kontrollohen nga strukturat paralele të vendosura nga Beogradi në veri të vendit.

Këto kamera të sigurisë nuk kontrollohen e as menaxhohen në asnjë moment nga institucionet e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Besim Hoti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se këto kamera janë të Komunës.

“Kamerat e vendosura janë nën kontrollin e Komunës së Zveçanit, monitorimi dhe përcjellja e kamerave ndodhet në hapësirat e Komunës”, thuhet në përgjigjen e Hotit.

Të kundërtën e ka thënë kryetari i Zveçanit, Dragisha Miloviq.

“Jam interesuar me bashkëpunëtorët dhe kam marrë informata për kamerat dhe për dhomën që po flet ti. Ekziston (një kamerë) por ajo i përcjell lëvizjet brenda ndërtesës së Komunës, ndërsa për rrugë dhe të tjera nuk janë te ne”, tha Miloviq, kryetar i Zveçanit.

Kryetari Miloviq ka përmendur disa herë se kanë kontroll mbi kamerat që janë të vendosura vetëm në Komunë.

“Për ato nuk e di se kush dhe a funksionojnë ato”, u përgjigj Miloviq kur u pyet për kamerat tjera të sigurisë të vendosura në rrugët e Zveçanit.

Në anën tjetër një punëtor i sigurimit të kësaj Komune i kishte thënë ekipit të KALLXO.com se disa televizorë që shfaqnin pamjet e kamerave ishin larguar ditëve të fundit nga Komuna dhe ishin dërguar në Mitrovicën Veriore, aty ku pretendohet të jetë baza e strukturave paralele të kontrolluara nga Beogradi.

Kamera të shumta të vendosura në disa lokacione të ndryshme në komunat Zubin Potok, Mitrovicë Veriore, Zveçan nuk janë të mbikëqyrura apo të kontrolluara nga institucionet e Kosovës.

Në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, çdo lëvizje monitorohet nga dhjetëra kamera të sigurisë të cilat janë të vendosura në disa lokacione të ndryshme e të cilat asnjë nga to nuk kontrollohen nga institucionet në Kosovë.

Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, i vetmi institucion i cili është i përcaktuar me ligj që të ketë kontroll dhe mbikëqyrje në kamerat e sigurisë është Policia e Kosovës.

Kjo vlen edhe në rastet kur vetë komunat vendosin sistemin e kamerave të sigurisë.

Përveç Komunës së Zveçanit, KALLXO.com ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq.

Ky i fundit nuk ka pranuar që të flasë për këtë rast ndërsa e ka rekomanduar ekipin e KALLXO.com që të dërgojë pyetje te nënkryetarja e kësaj Komune, Adrijana Hoxhiq.

“I kam pa lokacionet dhe i kam diskutuar me stafin tim. Të gjitha përveç njërës janë të vendosura jashtë territorit të Komunës së Mitrovicës Veriore. Unë nuk kam informacione se kush i ka vendosur dhe kush i mbikëqyr këto pajisje”, ka thënë Adrijana Hoxhiq në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Pra kjo Komunë nuk ka mbikëqyrje e as kontroll në asnjë nga kamerat e vendosura në shtylla e objekte që gjenden në këtë zonë.

Për këto kamera ka dhënë përgjigje edhe Policia e Kosovës.

Ata kanë dhënë përgjigje vetëm për kamerat te objekti i Ngrohtores.

“Në Mitrovicën Veriore, kamerat 1 dhe 2 gjenden në objektin e Ngrohtores përkatësisht ndërmarrjes komunale “Standard”, përkatësisht në oborrin e kësaj ndërmarrje dhe të cilat kanë vështrim në drejtim të Stacionit të Autobusëve dhe në rrugën “Ivo Lola Ribar” dhe kamera 2 e cila ka vështrim drejt urës përkatësisht nga zona e Dudi Kërshit”, thuhet në përgjigjen e Hotit deri sa shton se ato i përkasin Ngrohtores.

Në përgjigjet e Hotit në asnjë moment nuk përmendet se ndonjëra prej tyre është nën kontroll të Policisë së Kosovës.

Hoti ka thënë edhe se këto kamera janë jashtë funksionit.

“Përkundër kërkesave që këto kamera të vihen në funksion, të njëjtat ende janë jashtë funksionit apo nuk janë riparuar”, tregon Hoti tutje.

Drejtori i Ngrohtores sipas Hotit ka deklaruar se janë 11 kamera të tilla të cilat monitorojë sigurinë e objektit por vetëm 3 nga to janë funksionale.

Punëtorët e Ngrohtores tregojnë se nuk kanë fjalëkalimin për të pasur qasje në kamera dhe se pa Policinë gazetarët e KALLXO.com nuk mund t’i shikojnë pamjet. Madje ata kanë pranuar se kamerat janë të tyre ndërsa Policia nuk ka dhënë detaje se a kanë kontroll në këto kamera të cilat janë të vendosura në drejtim të Stacionit të Autobusëve dhe rrugëve publike.

Një punëtor në Komunën e Zubin Potokut është shprehur se nuk e di nëse mbikëqyren kamerat nga Komuna deri sa shton edhe fjalinë se “përveç policisë unë nuk e di kush mund t’i kontrollojë (kamerat)”.

Edhe vetë kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Sërgjan Vulloviq, nuk ka përgjigje për kamerat e sigurisë.

“Mendoj që jo, por nuk jam i sigurt”, tha shkurt kryetari Vulloviq në një bisedë me KALLXO.com.

“Bazuar në fotografitë e dërguara, janë identifikuar disa kamera të cilat ndodhen në zonën e përgjegjësisë në Zubin Potok. Lidhur me këto kamera ju njoftojmë se janë të instaluara në këtë zonë të komunës, para disa vitesh, bazuar në një projekt të komunës së Zubin Potokut i cili projekt sipas njoftimeve tona është financuar nga Prishtina mirëpo projekti nuk ka përfunduar asnjëherë, ashtu që kamerat nuk janë në funksion”, thuhet tutje në përgjigjet e zëvendësdrejtorit Hotit për kamerat në Zubin Potok.