AIP/ Foto: Agjencia për Informim dhe Privatësi

Agjencia për Informim dhe Privatësi tregon për gjobat ndaj institucioneve publike

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), përmes një komunikate për media ka thënë se publikimi i të dhënave personale është një shkelje e rëndë e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe sipas tyre, gjoba prej 20 mijë eurove është minimalja që e përcakton Ligji.

Agjencia ka thënë se është e autorizuar që të shqiptoj gjoba për institucione publike e private, sipas tyre, kur ato shkelin Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Sipas Agjencisë, që nga funksionalizimi në qershor 2021, janë shqiptuar disa gjoba.

“Për shkeljen e dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia që nga funksionalizimi i saj ka shqiptuar gjobë ndaj katër institucioneve publike ATK, Agjencinë e Bujqësisë, Komunën e Podujevës dhe Trepçën dhe pesë institucioneve private për përpunim të paligjshëm të të dhënave personale” – thuhet në komunikatë.

“Përpunim i të dhënave personale në kuptim të Ligjit për MDHP është edhe publikimi. Publikimi i numrit të madh të të dhënave personale është shkelje e rëndë dhe sipas ligjit, dënohet me gjobë. Gjoba minimale për publikim të të dhënave personale në kundërshtim me kriteret ligjore është 20 mijë euro”.

Tutje, AIP ka thënë se do të vazhdojë mbikëqyrjen e Ligjit, me qëllim për të mbrojtur privatësinë e qytetarëve dhe lirinë e informimit të tyre. Agjencia ka thënë se do të marrë masa çdo herë që do të ketë shkelje të këtyre dy të drejtave kushteteuese.

Ditë më parë PSD-ja është gjobitur nga AIP me këtë shumë për shkak të publikimit të të dhënave personale të qytetarëve që kanë nënshkruar një peticion vite më parë, ndërsa partia e Dardan Molliqaj e ka quajtur si politike këtë gjobë, duke e drejtuar gishtin kah kryeministri Albin Kurti.

Në anën tjetër, PSD-ja ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi ndaj Agjencionit për Informim dhe Privatësi për gjobën e shqiptuar.

Molliqaj kërkon ndihmë për të paguar dënimin prej 20 mijë që iu shqiptua PSD-së