Agjencia për Informim dhe Privatësi - Foto: Facebook/ Agjencia për Informim dhe Privatësi
Agjencia për Informim dhe Privatësi rithekson parimet që duhet të respektohen kur përpunohen të dhënat personale të fëmijëve
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka ritheksuar parimet që duhet të respektohen kur përpunohen të dhënat personale të fëmijëve.
Sipas njoftimit, primar është pëlqimi i prindërve ose kujdestarëve ligjorë.
Tutje thuhet se përpunimi i të dhënave në këto raste duhet të bëhet për qëllime të qarta dhe specifike, të cilat janë në interesin më të mirë të fëmijës.
Së treti përmendet që ata që merren me përpunimin e të dhënave personale të fëmijëve duhet të marrin masa të veçanta sigurie për të mbrojtur të dhënat personale të fëmijëve nga qasja e paautorizuar dhe abuzimi.
Agjencia ka theksuar se fëmijët janë më të ndjeshmit ndaj rreziqeve të privatësisë dhe abuzimit me të dhënat personale.
“Duke siguruar që të dhënat e tyre janë të mbrojtura dhe të përpunuara në mënyrë të sigurt, ne mund të mbrojmë privatësinë dhe sigurinë e tyre në botën digjitale” – theksohet në postimin e Agjencisë në Facebook.
Shënim:
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunim i të dhënave nënkupton çdo veprim ose seri veprimesh që kryhen ndaj të dhënave personale me mjete automatike ose jo, si: mbledhja, regjistrimi, organizimi, strukturimi, ruajtja, përshtatja ose ndryshimi, tërheqja, konsultimi, përdorimi, publikimi nëpërmjet transmetimit, shpërndarja ose ofrimi, njësimi ose kombinimi, kufizimi, fshirja ose asgjësimi.