Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agjencia për Informim dhe Privatësi: Publikimi i listave me të dhënat personale të veteranëve të UÇK-së pa vendim të organeve të drejtësisë përbën shkelje të ligjit

Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, mediave të shkruara, elektronike dhe qytetarëve të mos publikojnë lista me të dhënat personale të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në vendimin përfundimtar të organeve të drejtësisë. 

Agjencia për Informim dhe Privatësi përmes një njoftimi ka bërë të ditur se publikimi i listave të cilat përmbajnë të dhëna personale që e identifikojnë subjektin e të dhënave, pa pasur një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë, përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas Agjencisë, institucionet përkatëse të cilat i kanë përpunuar këto të dhëna duhet të ndërmarrin  masat e nevojshme ligjore për të mos cenuar të dhënat e personale të individëve. 

Për më tepër, sipas kësaj Agjencie, Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka të drejtë të përpunojë të dhëna personale të anëtarëve të saj për qëllime të qarta dhe legjitime duke iu përmbajtur parimeve të përpunimit të të dhënave, duke ndërmarrë të gjitha masat e duhura organizative për ruajtjen dhe sigurinë e tyre, si dhe duke mos lejuar qasjen e paautorizuar të personave të tjerë. 

Për çdo shkelje të dispozitave të këtij Ligji, Agjencia potencon se do të ndërmarrë masat e parapara sanksionuese, respektivisht do të shqiptojë gjoba për shkelësit e këtij Ligji.

Komunikata e plotë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi:

“NJOFTIM
Publikimi i listave me të dhënat personale të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Agjencia për Informim dhe Privatësi u bënë thirrje të gjitha institucioneve, mediave të shkruara dhe elektronike dhe qytetarëve të mos publikojnë lista me të dhënat personale të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar që nxjerrë nga organet e Drejtësisë.
 Agjencia për Informim dhe Privatësi ,si autoriteti i vetëm i mandatar me Ligjin Nr.06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave personale, konstaton se publikimi i listave të cilat përmbajnë të dhëna personale që e identifikojnë subjektin e të dhënave në këtë fazë, pa pasur një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë, përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në këtë rast, Institucionet përkatëse, të cilat i kanë përpunuar këto të dhëna duhet të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për të mos cenuar të dhënat e personale të individëve. Përpunimi duhet të bëhet duke rrespektuar parimet dhe masat që ka përcaktuar legjislacioni përkatës për që rregullon çështjen e veteranëve dhe legjislacioni përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Për më tepër, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, ka të drejtë të përpunoj të dhëna personale të anëtarëve të saj për qëllime të qarta dhe legjitime duke ju përmbajtur parimeve të përpunimit të të dhënave, duke ndërmarr të gjitha masat e duhura organizative për ruajtjen dhe sigurinë e tyre, si dhe duke mos lejuar qasjen e paautorizuar të personave tjerë.
Institucionet kompetente të përcaktuara me ligj, të cilat janë duke trajtuar çështjen e veteranëve, duhet t’i përpunojnë këto të dhëna vetëm për qëllimin specifik, duke siguruar masat e nevojshme të mbrojtjes së tyre dhe duke iu përmbajtur parimeve legjitime të mbrojtjes së të dhënave personale, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar të organeve të drejtësisë.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, në vazhdimësi do të siguroj mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Për çdo shkelje të dispozitave të këtij ligji, Agjencia do të ndërmarrë masat e parapara sanksionuese, respektivisht do të shqiptojë gjoba për shkelësit e këtij Ligji”.