AIP/ Foto: Agjencia për Informim dhe Privatësi

Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës anëtarësohet në ICIC

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC).

Kështu ka bërë të ditur AIP përmes një komunikate për media.

Sipas AIP-së, vizioni i ICIC është të jetë forum global që lidh Komisionerët për Informim me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies.

“Ndërsa, misioni i ICIC është të ndajë njohuritë dhe praktikat më të mira, të krijojë kapacitete, të ndihmojë në identifikimin e asaj që nevojitet për përparimin global dhe të veprojë si një zë kolektiv në forumet ndërkombëtare me synimin për të përmirësuar të drejtën e njerëzve për informacion publik” – thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Komiteti Ekzekutiv i ICIC, AIP thotë se Kosova u pranua me vota unanime si anëtare.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e Agjencisë për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare të fushave të përgjegjësisë, me qëllim përfitimin e eksperiencës në zbatimin e standardeve më bashkëkohore për ushtrimin praktik të të drejtave të qytetarëve”- thotë AIP.

Në qershor 2023, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi do të përfaqësoj Kosovën në Filipine , ku edhe do të formalizohet ky anëtarësim.