Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar sot hetimet ndaj këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqaj

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kanë filluar sot procedurat për pretendimet se njëri nga këshilltarët e Liburn Aliut, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është përfshirë në një kërkim ryshfeti.

Në përgjimet e gazetës “Nacionale” pretendohet se këshilltari Florent Ramqaj është përfshirë në kërkim ryshfeti për projektin e rrugës Dollc-Gjakovë.

“Ne sot kemi fillu procedurat për pretendimet e tilla, e kemi pasë një medium që na ka kontaktuar më herët, ndoshta dje dhe ne kemi filluar menjëherë ta shqyrtojmë për elementet të cilat mund t’i trajtojmë ne”, ka thënë Buleshkaj.

Sipas Buleshkajt, këto pretendime mund të mos jenë fare për trajtim nga ana e AKK-së, mirëpo duhet të trajtohen dhe gjithçka që mund të gjendet nga ana e tyre në fund t’i dorëzohen institucionit përkatës për trajtimin e rastit.

“Pretendimet mund të mos jenë fare për neve, mirëpo ne secilën informatë e trajtojmë dhe pastaj nëse elementet janë për t’u trajtuar nga ta zëmë prokuroria, ne të gjitha informatat që i mbledhim i dërgojmë në prokurori dhe e mbyllim si rast tonin”, ka thënë drejtuesi i AKK-së.

Tutje ai ka treguar për elementet që mund të trajtohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit në raste të tilla.

“Elementet që mund t’i trajtojmë ne janë tejkalim i kompetencës zyrtare të zyrtarëve të ndryshëm, për ndonjë konflikt interesi nëse ka pasur ndonjë lidhje në vendimmarrje që mund të cilësohet si konflikt interesi ose nëse ka pas ndonjë përfitim që nuk është raportu nga gjithë ky biznes”, ka thënë ai.

Më 3 qershor të këtij viti, ministri Aliu në një interviste në Pressing të T7 ka thënë se ky përgjim “është qesharak”.

“Unë i njoh të gjithë këshilltarët e mi, para se me dalë emisioni filloi një fushatë tjetër kur u bë paralajmërimi dhe një presion se tani unë duhet ta shkarkojë atë. Kur e dëgjuam përgjimin e famshëm që u deshëm orë të tëra interpretim për ta bërë të duket më serioz, doli një situatë tejet qesharake, në krahasim me pompozitetin që iu dha”, ka thënë ai.

Sipas Aliut, Florent Ramqaj goditet pasi të gjitha projektet e mbrapshta që i kanë ndalë ka qenë personi më i zellshëm dhe përpiktë në këtë pikë.

Ministri kishte shprehur edhe dyshime lidhur me vërtetësinë e videos ku dy persona dëgjohen duke folur.

“Doli që dy persona, mbase të kompanive private, kanë fol me njëri-tjetrin, nuk e përmendin këshilltarin apo ministrin, nuk e dimë çfarë incizimi është, nëse është i autorizuar”, kishte shtuar ai.

Sipas tij, përgjimi nuk ka asnjë lidhje me Florent Ramqajn, ai potencoi se u desh të bëhen skica të shumta për të krijuar lidhje me emrat që u përmendën në përgjim.

Liburn Aliu tha se kompania “Infratek” e ka marrë projektin për rrugën Dollc-Gjakovë në vitin 2018, kurse për këshilltarin e tij tha se nuk ka punuar aty.

“Kompania e ka marrë atë punë në vitin 2018, nuk e kemi caktuar ne, e ka marrë projektimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Nuk e kemi shkëputur asnjë kompani prej kontratave të nënshkruara që kanë afat. Ata kanë qenë autor të projektit dhe me ligj janë edhe autoriteti që mund të japë pëlqim për ndryshim. Nuk mund të mohoj se këtu nuk ndodhin pazare, duhet të hetohet”, shtoi ai.

“Florent Ramqaj nuk ka punuar në këtë kompani (Infratek) asnjëherë, ai ka punuar në Alfa I, që është e Halil Jahajt.

Në gazetën “Nacionale” para disa ditësh u publikua një përgjim telefonik që pretendon se përfaqësuesi i kompanisë projektuese të rrugës Dollc-Gjakovë “Infratek” e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, u zu duke kërkuar ryshfet në vlerë 30 mijë euro kompanisë që po kryente punimet.

Në këtë kompani, sipas “Nacionales”, kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut, Florent Ramqaj, i cili pretendohet se ka lidhje familjare me pronarët.

Liburn Aliu: Sulmi i fundit me përgjime është qesharak, u besoj këshilltarëve të mi