Agjencia Kundër Korrupsionit dorëzon kallëzim penal kundër ministres Rozeta Hajdari

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyra për media e  AKK-së.

“Ju njoftojmë se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për zyrtarin në fjalë ka përcjellë kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për KALLXO.com.

Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 430 të Kodit Penal.

KALLXO.com ka kontaktuar ministren Rozeta Hajdari e cila ka thënë se do të kërkojë sqarime nga AKK-ja lidhur me këtë çështje.

Ajo gjithashtu tha se për shkak të ngarkesës në punë çështja e raportimit të pasurisë “i ka dalë nga mendja”.