Agjencia Kundër Korrupsion: Rasti i drejtorit dhe zv/drejtorit të RTK-së është përcjellë në Prokurorinë Speciale

Agjencia Kundër Korrupsionit ka konfirmuar për KALLXO.com se e ka përcjellë në prokurori rastin në të cilin përfshihet drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe zëvendësdrejtori, Arsim Halili.

Rasti në AKK ishte përcjellë nga Sindikata e Pavarur e RTK-së. Sipas kësaj sindikate, tërheqja e padisë në Gjykatën e Apelit ndaj zëvendësdrejtorit, Arsim Halili nga RTK në fillim të këtij viti është ndërhyrje, ndërsa kjo kishte ndodhur pak ditë pasi Shkumbin Ahmetxhekaj e kishte pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së.

“Siç jeni në dijeni, vetëm disa ditë pasi ishte emëruar në postin e ud.drejtorit gjeneral nga Bordi i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj kishte ndërhyrë në Gjykatën e Apelit dhe kishte tërhequr padinë e RTK-së ndaj Arsim Halilit. Me këtë ndërhyrje ai i kishte shkaktuar RTK-së dëm financiar në vlerë prej 21 mijë euro, mjete të cilat do të shkonin në llogarinë e Arsim Halilit. Përveç dëmit financiar, me ndërhyrjen në Gjykatë z.Ahmetxhekaj e kishte pastruar dosjen e Arsim Hallilit e cila ishte pengesë për ta emëruar atë në postin e ud. zv. drejtorit gjeneral. Menjëherë pas eliminimit të kësaj pengese ai e emëron z. Halili ud.zv. drejtor gjeneral”, pretendon  kjo Sindikatë.

Ndërsa në përgjigjen e AKK për këtë sindikatë thuhet se rasti është duke u trajtuar nga Njësia e Veçantë e Hetimeve/Departamenti i Hetimeve me autorizim nga Prokuroria Speciale.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale në lidhje me këtë rast, por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe është në pritje të përgjigjes nga ai.

Zyrtari i lartë në RTK heq dorë nga dëmshpërblimi prej 21 mijë eurove që i fitoi përmes gjyqit